Ministri i Shtetit për Diasporën, Pandeli Majko për herë të parë pas 30 vitesh pjesë e Partisë Socialiste, rizgjedhja për të shtatën herë si deputet është i kushtëzuar nga renditja i 19-ti në Tiranë.
Nuk ka dyshim se kur të vjetërit e socialistëve ngritën kartonin jeshil në parlament për të shkuar në zgjedhjet e 25 Prillit me lista pjesërisht të hapura nuk e kishin menduar se do të ishin pikërisht disa prej tyre, që do të liheshin jashtë fitores së sigurt të mandatit të deputetit, raporton Vizion Plus.
“Pritshmëria ime ka vetem një gjë tani, të punoj për fitoren e Partisë Socialiste. Nëse Partia Socialiste kalon ne opozitë, mandati im si deputet nuk do të kishte ndonjë vlerë të madhe. Po nuk punova për njerëzit e mi nuk besoj se jam i aftë të punoj për veten time”, tha Majko.
Pas pastrimit të parë të listës nga Edi Rama me lënien jashtë të disa socialistëve, ish ministra apo me mandat deputeti, shndërrimin e drejtuesve të qarqeve dhe politikanëve të karrierës, si vetë Pandeli Majkon, Fatmir Xhafën apo Mimi Kodhelin, në makineri prodhuese votash, Ministri i Diasporës thotë se është sakrifica për mandatin e tretë qeverisës.
“Nuk mund ta bënim duke qëndruar në krye të listës dhe duke vendosur disa të rinj të panjohur për elektoratin socialist duke iu thënë që tani votat do t’i mblidhni duke votuar për ta, ne të tjerët por rrijmë dhe po ngrohemi në zjarrin e votave të atyre që do të jenë në vijën e zjarrit. Bën një diferencë me listat dhe mënyrën si do të mbledhi votat opozita”, deklaron Majko.
Për 25 Prillin, Pandeli Majko e më së shumti shokët e tij të partisë kundërshtarët janë dy, ai brenda llojit dhe Partia Demokratike me aleatët e saj.
“Ka edhe me keq, po të shikoni listën e Partisë Demokratike, ata duhet të mbledhin vota edhe për kryetarët e partive të tjera. Sado luftë brenda llojit të ketë, votat do të shkojnë në drejtim të Partisë Socialiste dhe jo të ndonjë partie tjetër. Demokratët duhet të punojnë për të tjerët dhe pastaj për veten”, shprehet Majko.
Nga Edi Rama i është kërkuar që të udhëheqë fushatën e 25 Prillit për Tiranën nën organizmin e drejtuesit politik, kryetarit të bashkisë, Erion Veliaj.
“Do të jem pak më i tërhequr pasi në qoftë se unë do të bëjë fushatë në çdo njësi, ndiej që kam një lloj konflikti interesi, pasi edhe unë jam kandidat”.
Objektivi i socialistëve për Tiranën është 20 deputetë. Si rrezik mazhoranca nuk sheh opozitën e bashkuar, por votuesin e zhgënjyer.
“Ajo për të cilën po punojmë dhe që e shikojme si problem janë njerëz të mpirë nga tetë vite në pushtet të PS-s apo të mbingarkuar nga ndonjë padrejtesi në marrëdhënie me administratën shqiptare. Po perpiqemi të jemi të kujdesshëm që për shkak të kësaj mërzie nuk është se ia japin votën opozitës por do të zgjedhin të mos votojnë. Nëqoftëse PS e rrezikon, nuk është opozita sado që ajo të bashkohet e të vendosi kryetarët e partive në vende të sigurta, është votuesi i mërzitur, le ta quajmë kështu, apo i paplotësuar nga vitet e qeverisjes socialiste, të zgjedhi mos të votojë, ky do të ishte rrezik potencial”.
Deri në ditën e zgjedhjeve, parashikimi i Ministrit të Shtetit për Diasporën është një fushatë e egër, jo vetëm në ligjërime.
“Për një arsye shumë të thjeshtë, sepse kush do të fitojë do t’i marrë të gjitha, kush do t’i humbasë do t’i humbasë të gjitha”.
Të vetmen gjë që nuk e ka parashikim, por të vendosur, është e ardhmja nëse nuk rikonfrimohet në karrigen e deputetit.
“Padyshim do të filloj një jetë tjetër. Kam dy diploma, që besoj janë të mjaftueshme për të vazhduar përpara”.