“Meritokracia dhe përgjegjshmëria në punë do të jenë kritere punësimi në administratën shtetërore”.

Këtë theksoi në një takim me të rinj, kandidati i koalicionit “Aleanca për ndryshim”, Florian Tahiri. Duke u ndalur tek disa nga problematikat me të cilët ndeshen të rinjtë, sidomos emigrimi jashtë vendit, Tahiri vë theksin në rëndësinë që ka hartimi dhe implementimi i reformave që do të frenojnë këtë fenomen.

Njëkohësisht, kandidati nga radhët e PDIU, nënvizon se disa nga reformat më të rëndësishme, ligjvënësit duhet t’i kalojnë me konsensus të gjerë në parlament për të shmangur rikthimin në pikën zero sa herë një parti tjetër fiton zgjedhjet.

“Së bashku do të punojmë fort për reformën në arsim dhe reformën në administratën publike. Këto dy reforma duhet të kalojnë në Kuvend me votim unanim për të t’i dhënë fund njëherë e mirë eksperimenteve të dështuara të këtyre viteve”,- shkruan Tahiri.

Postimi i plotë:

Në një kohë kur një pjesë e të rinjve shohin emigrimin si zgjidhjen më të mirë, shumë të tjerë janë të vendosur të ndërtojnë jetën e tyre këtu. Duan të marrin përgjegjësinë ta bëjnë Shqipërinë një vend më të mirë, ta bëjnë Durrësin një qytet evropian, ta kthejnë qeverisjen  në shërbyese të qytetarëve.

Kush më mirë se të rinjtë mund t’i detyrojnë politikanët t’u vënë veshin kërkesave të tyre. Ata e treguan më së miri me protestat e tyre në dhjetor 2018. Ata do ta tregojnë me votë edhe më 25 prill, pasi do të votojnë për ndryshimin e madh.

Së bashku do të punojmë fort për reformën në arsim dhe reformën në administratën publike. Këto dy reforma duhet të kalojnë në Kuvend me votim unanim për të t’i dhënë fund njëherë e mirë eksperimenteve të dështuara të këtyre viteve.

Meritokracia dhe përgjegjshmëria në punë do të jenë kritere punësimi.