DURRES – Teuta ka fituar miqësoren e radhës. Më në fund durrsakët kanë dalë nga errësira dhe me një lojë të shkëlqyer kanë mundur skuadrën e Burrelit me rezultatin e pastër 2 me 0. Teuta është mjaftuar me nga një gol për çdo pjesë për të likujduar Burrelin. Ka qenë elbasanlliu Renato Hyshmeri ai që ka zhbllokuar rezultatin në minutën e 35-të të ndeshjes, ndërsa golin e dytë durrsakët e gjetën me anë të sulmuesit kosovar Vedat Muriqi në minutën e 55-të. “Djemtë e detit” kishin mundësi të fitonin thellë, por shpërdoruan një mori rastesh të pastra.

Ndeshja ka nisur me një dominim të vendasve, ku për rreth 15 minuta nuk e lëshuan topin nga kontrolli. Të besuarit e Pajazitit krijuan mjaft raste, madje të pastra për shënim, por Mancaku dhe Muriqi shpërdoruan mjaft, kjo edhe për shkak të terrenit tw vwshtirw tw fushws ku u zhvillua ndeshja. Megjithatë takimi foli totalisht për Teutën e cila nuk vonon dhe arrin të zhbllokojë me një supergol të Renato Hyshmerit, pak çaste pasi mesfushori elbasanas kishte goditur shtyllën.

Pas pësimit të golit miqtë u përpoqën të rifuteshin në lojë dhe me anë të disa sulmeve të njëpasnjëshëm kërcënuan portën e Hoxhës. Gjatë pjesës së parë vendasit patën raste për ta dyfishuar rezultatin, por pa mundur të ishin konkretë përpara portës. Edhe pjesa e dytë nisi me të njëjtin ritëm si dhe e para me raste nga të dyja skuadrat. Vendasit kanë qenë më kërkues dhe brenda pak minutash e vizituan portën kundërshtare të mbrojtur nga portieri Xhixho mbi 10 herë.

Pas disa minutave presion durrsakët arrijnë të shënojnë golin e dytë dhe të qetësisë me anë të sulmuesit kosovar Muriqi. Ky i fundit ka përfituar nga një krosim i Hyshmerit dhe me një goditje të kalibruar me kokë e dërgon topin në trekëndësin e portës, ku portieri i sapofutur burrelas, Dushaj, nuk ka mundur të bëjë tjetër gjë përveçse ta nxirrte sferën nga rrjeta ku kishte ngecur.

Ndonëse me gola “djemtë e detit” e mbyllën këtu, pwrsa i përket rasteve ata krijuan dhe shpërdoruan me dhjetra. Gjithsesi, i rëndësishëm është fakti që skuadra doli në lojën e saj karakteristike, ku si specialitet të sajin ka qarkullimin e topit.