DURRES– Teuta do të presë nesër në një takim miqësor në shtëpinë e saj Tomorin e Beratit. Ndeshja do të zhvillohet ditën e shtunë në orë 11.00, tek fusha me bar sintetik. Në këtë takim miqësor tekniku provizor i ekipit, Sedat Pajaziti, nuk do të ketë sërish në dispozicion tre lojtarë; Rizvanin, A. Hoxhën dhe brazilianin Da silva, të cilët janë të dëmtuar.
Lojtarët i kanë lënë pas dëmtimet dhe u janë kthyer ambjenteve sportive për të vazhduar me stërvitjen, që e zhvillojnë veçmas grupit. Ata premtuan se shumë shpejt do të jenë në dispozicion të skuadrës.
Kjo është miqësorja e katërt e Teutës përgjatë fazës përgatitore. Ekipi ka një bilanc negativ përsa i përket rezultateve në takimet miqësore, pasi ka mundur të marrë vetëm një barazim dhe ka koleksionuar dy humbje në fushën e saj.
Rezultatet e dobëta në këtë fazë përgatitore çuan drejt dorëheqjes trajnerin Gentian Begeja.