DURRES – Që nga sot, një nga mbrojtësit më të mirë dhe më të kërkuar gjatë kësaj merkatoje dimërore, Tefik Osmani, është lojtar i Teutës. Presidenti Edmond Hasanbelliu, që pati premtuar se në skuadër gjatë fazës së dytë do të kishte ndryshime rrenjësore, e mbajti fjalën. Sot durrsakët kanë bërë goditjen më të madhe në merkaton e dimrit.

Mbrojtësi korçar, që u aktivizua së fundmi në radhët e skuadrës së Vllaznisë së Shkodrës, është bërë lojtari më i ri i skuadrës nënkampione, ndërsa me ardhjen e tij në Durrës, me shumë gjasa merkato e “djemve të detit” mund të quhet e mbyllur.

Për të qenë pjesë e ekipit durrsak, Osmani ka zhvlerësuar oferta mjaft joshëse, brenda dhe jashtë vendit, duke filluar që nga Vllaznia deri në Tailandën e largët, vend të cilin mbrojtësi korçar e vizitoi pak ditë më parë dhe qëndroi për rreth një javë. Mbrojtësi ka vlerësuar ambjentin e qetë të Teutës, ku mund të punohet pa shumë presione, para shumave të mëdha financiare që mund t’i garantonte skuadra tailandeze.

Mbrojtësi ishte pranë kalimit në kampionatin tailandez, por largësia e madhe do t’i prishte shumë punë sa i përket grumbullimit në kombëtare. Në Tailandë futbolli nuk është sporti më i përhapur në vend dhe si pasojë kampionati i tyre fatkeqësisht nuk është në nivele të larta.

Largësia e madhe dhe niveli jo i lartë i futbollit në këtë vend, kanë bërë që Tefik Osmani t’u thotë “Jo” milionave, duke preferuar të luajë për Teutën.  Lojtari ka qënë edhe sezonin e shkuar pjesë e djemve të detit.