Futbollisti belg, Eden Hazard, provokoi tension të panevojshëm një natë më parë, kur goditi në brinjë një djalosh, që kishte për detyrë të kapte topat prapa porte.
Ylli i Chelsea-t, që përfiton plot 170 mijë paundë në javë, u përpoq të rikuperonte topin, kur ky doli jashtë vijës fundore në minutat e fundit të ndeshjes, por u irritua së tepërmi, kur një djalosh zbriti në fushë, mbërtheu topin dhe nuk dëshironte t’ia jepte.
Në përpjekje e sipër për t’i marrë topin, ai u përpoq ta godiste atë nga poshtë, por në vend të tij shkelmi përfundoi në brinjët e djaloshit 17-vjeçar, kapës topash, përpara se të arrinte atë që dëshironte.
Belgu 22-vjeçar, i cili u bashkua me londinezët për 32 milionë paundë gjatë verës së kaluar nga ekipi Lille, u ndëshkua me të kuq pas incidentit në gjysmëfinalen e Kupës së Ligës, në stadiumin “Liberty” të Swansea-s.
Disa lojtarë të Chelsea-t shkuan drejt adoleshentit, i cili u largua nga stadiumi me duar në brinjët e tij. Policia e Uellsit jugor ka nisur hetimet për këtë incident, një çështje që ata po e trajtojnë “me seriozitet të plotë”.
Djaloshi quhej Charlie Morgan, 17 vjeç, djali i drejtorit të Swansea-s, Martin Morgan. Ai iu nënshtrua ekzaminimeve në spital, por nuk kishte pësuar dëmtime serioze.
Cantona, Wenger, Estaban… kur në futboll humbet temperamentin
ERIC CANTONA – Një nga incidentet më të bujshme, në historinë e Premier League, është pa dyshim stili “kung-fu” në fluturim e sipër i Cantona-së, kundrejt një tifozi të Crystal Palace, në “Selhurst Park”, më 1995. Francezi, i cili po dilte nga fusha pas ndëshkimit me të kuq, iu kundërvu një tifozi në radhën e parë. Ai u pezullua me 8 muaj nga Federata e Futbollit të Anglisë, ndërsa Manchester United e gjobiti atë me 20 mijë paundë më shumë, nga dënimi i FA-së me 10 mijë paundë.
ARSENE WENGER – Trajneri i Arsenal-it u largua nga pankina nga gjyqtari Mike Dean, në “Old Trafford”, pasi goditi me neveri një shishe me ujë në vitin 2008. Wenger refuzoi fillimisht të pranonte sjelljen, edhe pse gjithçka u publikua me foto, ndërkohë që tifozët e Man. United e ironizuan me duartrokitje gjatë largimit.
ESTABAN – Një ndeshje për Kupën e Holandës, në 2011, u ndërpre pas 38 minutash, pasi portieri i AZ Alkmaar, Estaban, u ndëshkua me të kuq, për shkak se goditi një tifoz të Ajax-it, i cili u konfrontua me të në fushën e blertë. Por, kartoni i kuq iu hoq më pas nga Federata Holandeze, pasi u vërtetua se ishte tifozi, ai që e kishte goditur i pari. Ajax-i ndëshkoi tifozin adoleshent me pezullim të përjetshëm nga stadiumi.
Kliko për të parë Videon
http://www.youtube.com/watch?v=KVHVS26RBeM&feature=player_embedded