Golat e minutave të fundit vendosin fatet e ndeshjeve të para të Grupit D në Kupën e Afrikës. Pas shumë barazimeve, dita e katërt jep verdikte fituese për skuadrat favorite. Bregu i Fildishtë i Didier Drogbasë, Yaya Toure dhe trajnerit Lamouchi hedh hapin e parë të sigurtë dhe bën atë që shumë skuadra të tjera nuk e kanë bërë dot deri tani. Elefantët, jo pa vuajtje kanë marrë një fitore 2 me 1 ndaj një tjetër formacioni të fortë Togos. Të parët që kaluan në avantazh kanë qënë pikërisht futbollistët e Bregut me liderin e tyre Yaya Toure i cili në minutën e 8-të pas një pasimi me fat nga ana e Gervinho arriti të kalonte portierin kundërshtar dhe të kalonte skuadrën e tij në avantazh, një gol që arritën ta ruajnë deri në minutën e 46-të pasi Togo, kur po përfundonte pjesa e parë barazoi 1 me 1 me golin e Jonathan Ayite.

Pjesa e dytë tregoi një lojë pothuajse të barabartë, megjithatë diferencën e bëri skuadra e Bregut të Fildishtë që ka në gjirin e saj futbollistë klasi si Gervinho, i cili në minutën e 88-të pas një krosimi të Yaya Toure e coi rezultatin në 2 me 1. Ndërkohë që për Bregun ky ishte një hap i rëndësishëm skuadra e Togos duhet të reagojë në dy takimet e tjera që të arrijë të kualifikohet në atë që quhet grupi i hekurt.

Takimi i dytë mes Tunizisë dhe Algjerisë u vendos nga një supergol në minutën e 90-të, i shënuar nga sulmuesi Youssef Msakni. Një vendim i drejtë për atë që skuadrat dhanë në fushë sepse Tunizia u shfaq më agresive dhe aktive në kërkim të fitores. Pas ndeshjeve të para, Bregu i Fildishtë dhe skuadra afrikano veriore kryesojnë grupin D me nga tre pikë.