DURRES – Tekniku durrsak Gentian Begeja ka dhënë dorëheqjen nga drejtimi i skuadrës së Teutës. Ka qenë humbja me Partizanin ajo që e ka shtyrë teknikun të japë dorëheqjen. Ai i ka kërkuar kreut të presidencës durrsake, largimin, pasi ky i fundit i ka kërkuar llogari për humbjen me skuadrën e kategorisë së parë.
Presidenti Hasanbelliu u shpreh se deri në gjetjen e një tekniku tjetër skuadrën do ta drejtojë zv/trajneri, Sedat Pajaziti. Lajmi për largimin e teknikut Begeja, është bërë i ditur nga vetë presidenti Edmond Hasanbelliu, i cili ndër të tjera theksoi se skuadra duhet të tregojë personalitet, pavarësisht se është një ndeshje miqësore.
“Begeja dha dorëheqjen dhe deri në gjetjen e zëvendësuesit të tij, skuadra do të drejtohet nga ndihmësi i tij Sedat Pajaziti. Largimi i tij ka ardhur për shkak të rezultateve negative të skuadrës, sidomos humbja e fundit ndaj një skuadre që militon një kategori më poshtë, si Partizani, nuk mund të tolerohej. Skuadra duhet të tregojë seriozitet, pavarësisht se është një ndeshje miqësore. Aktualisht po kërkojmë zëvendësin e tij. Gjatë fazës përgatitore dhe deri në gjetjen e një trajneri tjetër ekipi do të drejtohet nga Pajaziti”,- pohoi numri një i presidencës durrsake.
Hasanbelliu shtoi se deri tani nuk ka ndonjë emër konkret që mund të drejtojë pankinën e “djemve të detit”.
Miqësorja
Tekniku aktual i Teutës, Sedat Pajaziti, do të ketë mundësi të nisë me fitore aventurën e tij në krye të pankinës durrsake, por kjo do të shikohet vetëm pas përfundimit të takimit miqësor Teuta-Lushnja, i cili zhvillohet në kuadër të fazës përgatitore. Kosovari i ardhur pak ditë më parë do të drejtojë nënkampionen deri në gjetjen e një alternative tjetër. Në këto ditë të stërvitjes grupit të skuadrës i kanë munguar kapiteni Rizvani dhe mesfushori Altin Hoxha, të cilët nuk do të jenë të gatshëm për teknikun as nesër në miqësoren me Lushnjen. Kjo është miqësorja e tretë që Teuta ka zhvilluar gjatë fazës përgatitore. Më herët, durrsakët barazuan me ekipin e Kukësit, ndërsa u mundën katër ditë më vonë po në shtëpinë e tyre nga Partizani.