DURRES – Ndërsa në skuadër janë ofruar tre lojtarë dhe një zv. trajner, durrsakët nuk kanë ndërmend ta mbyllin këtu merkaton e dimrit. Drejtuesit durrsak janë vënë në kërkim të një mesfushori, por edhe pse ka patur mjaft bisedime deri tani ato nuk janë konkretizuar.

Mesfusha është i vetmi repart ku nuk është ndërhyrë gjatë merkatos së vogël, por nuk ka për të mbetur i tillë. Tepshi dhe Muriqi e kanë kompletuar akoma edhe më shumë sulmin durrsak, ku së bashku me treshen: Mancaku, Xhafaj dhe Eminhazëri, thuajse janë “blinduar”, çka lë të kuptohet se nuk do të ketë surpriza.

Stafa është një alternativë shumë e mirë, por mbrojtësi që një sezon më parë shkëlqeu me këtë skuadër, tani do t’i duhet të luftojë për një vend në repartin ofensiv, i cili është mjaft i ngjeshur dhe me emra të medhenj si Sheta, Jakupi, Sakaj dhe Da Silva, të cilët po kalojnë një formë mjaft të mirë.

Ndonëse është reparti që nuk e ka kënaqur presidentin Edmond Hasanbelliu, në mesfushë ende nuk ka patur asnjë përforcim. Numri një i skuadrës ka pohuar se po punohet për të gjetur një mesfushor, por deri tani tha ai gjithçka është në kuadrin e bisedimeve.