Teuta do të presë Partizanin sot në shtëpi në një ndeshje miqësore jo si të tjerat. Durrsakët do të përballen me ish-trajnerin e tyre, Hasan Lika, i cili aktualisht është në postin e drejtorit teknik të të kuqve, por që njëkohësisht po bën edhe rolin e teknikut. Mesfushori beratas, Emiljano Veliaj, i cili luan sezonin e tij të dytë në radhët e “djemve të detit”, ndërsa është kthyer në një nga lojtarët më të rëndësishëm të skuadrës, flet në lidhje me këtë përballje. Sipas tij, kjo ndeshje do të jetë mjaft e rëndësishme për të dyja skuadrat dhe duket se është përgatitur si e tillë, përtej përmasave të një sfide miqësore. “Nesër (sot) do të shikojmë se ku kemi arritur në varësi të këtyre ditëve përgatitje. Pavarësisht se militon një kategori më poshtë, Partizani ngelet një kundërshtar shumë i fortë dhe një skuadër e madhe”, – tha fillimisht Veliaj.

Sfida

Për ne kjo është një ndeshje shumë e rëndësishme për të parë forcën e skuadrës. Gjithashtu është një ogur i mirë edhe fakti që trajneri ka mundësi të analizojë formën e çdo lojtari. Edhe pse është thjesht një miqësore, ne e kemi përgatitur si sfidë, të cilën duhet ta fitojmë duke dhënë më të mirën tonë”, – vijoi lojtari. Së bashku me Partizanin sot në Durrës kthehet për herë të parë si kundërshtar pas largimit të tij, ish-tekniku i Teutës, Hasan Lika, i cili tashmë drejton “demat e kuq”. Lika e njeh mirë skuadrën e Teutës, madje edhe cilësitë e lojtarëve durrsakë. Ky fakt për këta të fundit është mjaft domethënës. “Me profesor Likën kemi punuar gjatë dhe kemi një marrëdhënie mjaft të mirë. Është një teknik shumë i zoti dhe më emocionon fakti që do ta kem kundërshtar. Më bëhet qejfi që ka marrë drejtimin e Partizanit, pasi është një skuadër me emër shumë të madh, të cilën ai mund ta sjellë sërish në majat e futbollit shqiptar”, – ka përfunduar Veliaj, duke ia lënë të tjerat fushës së blertë. Ndërkohë takimin e sotëm pritet ta ndjekë një numër i madh tifozësh vendës, por edhe ata kryeqytetas, të cilët do të udhëtojnë drejt Durrësit.

Ndryshime në staf

Teuta ka bërë një tjetër lëvizje në merkato. Kësaj radhe nuk bëhet fjalë për ndonjë lojtar, por për pankinën. Është larguar nga posti i zv.trajnerit Oert Kote dhe është emëruar Sedat Pajaziti. Ky i fundit do të jetë krahu i djathtë i teknikut Gentian Begeja për pjesën e mbetur të këtij sezoni. Ndërsa Kote në të ardhmen do të drejtojë U- 19 e Teutës, duke nxjerrë prej aty edhe talente për ekipin e parë.