Më datë 27 dhe 28 dhjetor, në sallën e Pallatit të Kongreseve (ora 19.30), Elvis Pupa do të performojë para publikut shqiptar për 80 minuta në një “one-man show” dhe sipas tij ky publik ka rastin ta dojë shumë, ose aspak pas performancës.
I ftuar në studion e emisionit “Pasdite në Top Channel”, ish-aktori i Portokallisë u shpreh: “Është një sfidë për mua ky lloj formati monolog, ku një aktor vetëm flet dhe tregon histori për 80 minuta radhazi.”
Një spektakël ku pesha është e gjitha për një aktor të vetëm, ashtu si kanë bërë më parë komikë të mëdhenj si Chris Rock, Robin Williams dhe Eddie Murphy: “Do të ketë kritikë sociale, satirë, ironi, por thelbi është humori dhe e qeshura. Jashtë shtetit bëjnë një humor më të lehtë sepse publiku perëndimor është i gatshëm të qeshë pasi e ka në terezi. Ndërsa populli ynë e ka dramë jetën nga mëngjesi deri në darkë dhe duhet një humor më i fortë.”
Elvis Pupa theksoi se spektakli i tij nuk do të ketë politikë: “Nuk do i futem politikës sepse politikanët janë shumë më karagjozë se unë dhe nuk mund të krahasohem me ta. Unë do të merrem me jetën sociale.”
“Nuk dua që populli të mërzitet dhe të mendojë për gjëra negative. Dua që për 80 minuta ta shkëpus nga realiteti, unë kaq kam në dorë”, përfundoi aktori shqiptar.