Përfitojnë rreth 2000 mjekë, 6600 infermierë dhe 750 punonjës të tjerë. Ja si do të veprojnë Qendrat Shëndetësore për shpërndarjen e pagesave
“Reforma e nisur ne vitin 2007 në shërbimin shëndetësor parësor tashme është konsoliduar më së miri, pasi cilësia e shërbimit që ofrohet për popullatën lidhet drejtpërdrejt me pagesën e personelit mjekësor, i cili, për të gjashtin vit radhazi, shpërblehet në bazë të punës së kryer në shërbim te pacientëve. Nisur nga treguesit e mirë të performancës, punonjësit e Qendrave Shëndetësore do te përfitojnë deri ne një pagë financim shtesë në këtë fundvit, në bazë të realizimit të indikatorëve të performancës dhe bonusit”- u shpreh në konferencën për media drejtoresha e ISKSH-së Elvana Hana.
Mbështetur në realizimin e pritshëm te treguesve për vitin 2012, rezulton se 416 qendrat shëndetësore të kujdesit parësor të përfitojnë edhe deri në një pagesë tjetër, kundrejt realizimit të treguesve të përformancës dhe cilësisë. “Numri i planifikuar i vizitave nga mjekët e përgjithshëm e të familjes në shkallë Republike për vitin 2012 është realizuar rreth 93%, ose 1 % më shumë se viti 2011, ndërsa treguesi i cilësisë (bonusi) është realizuar rreth 60 % ose 10 % më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Tregues të cilësisë që rezultojnë të jenë me rritje krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, mund të përmendim: edukimin mjekësor në vazhdim me rreth 30 %, përqindja e pacienteve brenda normës për hipertensionin arterial – e cila është rritur me 19 % krahasuar me vitin e kaluar, treguesi i pacientëve brenda normës për sa i takon diabetit gjithashtu është rritur me 10 % si dhe ndjekja e fëmijëve 0-1 vjeç qe ka një përmirësim me 7 %”- tha Hana. Sipas saj referuar të dhënave rezulton se treguesi i performancës është realizuar në nivele mbi 90 %, nga 291 qendra shëndetësore të cilët ushtrojnë aktivitetin në 10 rajone, ndërsa treguesit e bonusit janë realizuar mbi 55% nga mbi 217 QSH, që veprojnë në 7 rajone.
“Sipas rajoneve rezulton se përfitojnë pagesa shtesë maksimale, punonjësit e rajoneve: Gjirokastër, Shkodër, Tiranë, Berat, Dibër, Durrës, Vlorë etj, te cilat kanë realizuar më mirë edhe treguesit e cilësisë dhe performancës. Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar qendrat shëndetësore, si rezultat i rritjes së numrit të vizitave kanë arritur të tërheqin rreth 25 milion lekë më shumë, ndërsa si rezultat i plotësimit të indikatorëve të bonusit kanë tërhequr 85 milion lekë më shumë”-tha drejtoresha e ISKSH-së. Për 6/mujorin e dytë të këtij viti, parashikohet të shpërndahen rreth 290 milion lekë. Nga ky fond përfitojnë rreth 9350 punonjës të Qendrave Shëndetësore, nga te cilët rreth 2000 mjekë familje, të përgjithshëm dhe specialistë, 6600 infermierë dhe 750 punonjës të tjerë, sanitarë, shoferë dhe ekonomistë. Fondet për përballimin e shpërblimeve janë transferuar tashmë ne llogaritë bankare të Qendrave Shëndetësore, të cilat duhet të veprojnë menjëherë për shpërndarjen e tyre brenda muajit dhjetor.