DURRES – Teuta është jashtë garës për kupën. Pas asaj humbjeje të pësuar në Ballsh, shpresat nuk ekzistojnë më. Durrsakët e pranojnë se me Bylisin paraqitja e tyre ishte e dobët, ndaj erdhi dhe humbja.

Sulmuesi Bledar Mancaku u shpreh se humbja erdhi si pasojë e shpërqendrimit të skuadrës dhe gabimeve të shumta, madje i cilësoi këto ndeshje të kupës si një turp për ekipin e tij.

“Ishte një humbje e paparashikuar, e cila na nxori përfundimisht nga gara e kupës. Është një zhgënjim i madh për ne që u eliminuam, pasi nuk e prisnim që të dilnim jashtë loje që në këtë fazë. Në Ballsh bëmë një paraqitje mjaft të dobët dhe gabime të shumta. Kundërshtari e meritoi plotësisht fitoren, pasi dominoi përgjatë gjithë lojës. Ndërsa ne ishim inekzistentë dhe nuk mundëm të reagonim. Gjithashtu, presioni i vendësve bëri që skuadra të humbte ekuilibrin dhe, si pasojë, të pësonte tre gola brenda pak minutash. Më pas nuk mundëm të rikuperonim, madje u ndëshkuam edhe me gola të tjerë”, pohoi Mancaku, ndërsa shtoi se Teuta bëri një paraqitje turpëruese në Kupën e Shqipërisë: “Që në fillim e nisëm ters kupën, pasi deri këtu kemi ardhur mes peripecive dhe mundimeve të shumta. Me humbjen që pësuam në Ballsh, tashmë e shikojmë veten të eliminuar dhe, mundësia e vetme për ta mbyllur sa më mirë këtë sezon, është të bëjmë një paraqitje sa më të mirë në pjesën e mbetur të kampionatit”.

Sakaq, Mancaku jo vetëm si lojtar, por edhe si tifoz, kërkon që Teuta të qëndrojë në majat e futbollit shqiptar.

“I bëmë një mbyllje të keqe këtij viti, pasi humbja e fundit përkthehet me skualifikim. Tashmë synimi ynë është që të bëjmë një paraqitje të mirë në pjesën e mbetur të kampionatit. Kam dëgjuar se në janar do të ketë përforcime dhe kjo është një shenjë pozitive, pasi skuadra ka nevojë për elementë të rinj. Shpresojmë të ndërtohet një skuadër e denjë për të përballuar sezonin dhe për të arritur objektivat. Dua që Teuta të qëndrojë në majat e futbollit shqiptar dhe për këtë do të jepja gjithçka”, përfundoi Mancaku.

Durrsakët në ankth

Pas tri humbjeve radhazi në Kupën e Shqipërisë, durrsakët e quajnë veten të skualifikuar dhe mundësia e vetme për të shpëtuar sezonin, është paraqitja dinjitoze në kampionat. I gjithë kampi durrsak është në ankth, pasi do të ketë edhe largime të shumta. Pak ditë më parë, presidenti i Teutës, Edmond Hasanbelliu, pohoi për “Panorama Sport” se do të ketë spastrime në skuadër, duke i zëvendësuar me afrime të reja, por pa përmendur emra konkretë.

Burimi: http://www.panorama-sport.com/ballina/mancaku-e-pranon-zhgenjimin-e-skuadres-tri-ndeshjet-ne-kupe-nje-turp-per-teuten/#ixzz2FhQOXeFH