TIRANË-Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha ka pritur sot organizatorët e Festivalit të 51 – të këngës, në RTSH. Kryebashkiaku ka ndjekur nga salla e Pallatit të Koncerteve, natën e parë të këtij festivali dhe ka shprehur përgëzimet e tij, për organizimin dinjitoz dhe me cilësi të lartë të tij.
“Ky festival, – tha Basha, u ka dhënë mundësinë e konkurrimit dhe promovimit, qindra e mijëra artistëve të rinj e me eksperiencë, në 51 vitet e ekzistencës së tij. Për vite me radhë, Festivali në RTSH ishte një nga kënaqësitë që sillte fund – viti në Shqipëri e natyrisht është edhe sot. Pavarësisht se kohët kanë ndryshuar, pritet me interes të madh”.
Ky festival i cili këtë vit përkon dhe me 40 – vjetorin e Festivalit të 11-të, festival i cili tentoi të thyente tabutë e një regjimi diktatorial por fatkeqësisht me pasoja të rënda për mjaft artistë, është dhe një homazh për të gjithë ata, që përmes këngës përcollën atë mesazh që shpirti ua donte.
Basha tha se Festivali i këngës në RTSH qëndron sot me dinjitet, krahas festivaleve të vendeve të zhvilluara, anëtare të BE e më gjerë. “Interpretimi “live”, në skenën e festivalit është për tu përgëzuar – u shpreh Kreu i Bashkisë, – pasi në këtë mënyrë dallohen artistët e vërtetë dhe konkurrimi është më i drejtë”.
Kryetari i Bashkisë ka falënderuar në mënyrë të veçantë Drejtorin e Përgjithshëm z. Petrit Beci, për mundësinë që u ka dhënë shqiptarëve në Kosovë, Maqedoni e kudo ku janë nëpër botë, ta ndjekin këtë festival kombëtar.
Një mirënjohje, Basha ka shprehur edhe për mundësinë që i jepet fituesit të këtij festivali, për të përfaqësuar Shqipërinë në Festivalin Evropian të këngës.
“Prej disa vitesh, konkurrimi i Shqipërisë në këtë festival, përcillet nga miliona shqiptarë anembanë botës dhe arritjet e artistëve shqiptarë, siç ishte renditja në vend të pestë e Nora Nishliut një vit më parë, na bëjnë krenarë” – theksoi Kryebashkiaku Basha.