Kupa e Shqipërisë zhvillon sot raundin e tretë të ndeshjeve në grupe, ku vëmendja e të gjithëve do të jetë e përqendruar në Vlorë, aty ku Flamurtari pret Laçin. Bëhet fjalë për një sfidë jetike për vlonjatët, por kurbinasit nuk kanë qenë asnjëherë një skuadër e lehtë për ta. 

Madje, dy vjet më parë ishte pikërisht Laçi që i hoqi nga duart titullin skuadrës së Flamurtarit, falë atij barazimi 1-1. "Laçi është një sku-adër që gjithnjë i ka sjellë probleme Flamurtarit, kështu që duhet të bëjmë një ndeshje të madhe që të fitojmë, – deklaroi trajneri i ekipit vlonjat Ernest Gjoka. – Është një kundërshtar që gjithnjë të hap probleme, sepse ka një organikë të mirë", shton ai. Pasi kanë dalë nga lufta për titull, vlonjatët synojnë të sigurojnë një vend në Evropë nëpërmjet Kupës. Rrotacioni në pankinë me largimin e Rubios dhe ardhjen e Gjokës duket se i ka dhënë një shkundje skuadrës, e cila fitoi 3-2 ndaj Teutës edhe pse ishte duke humbur 2-0 në fillim. "Personalisht e nisa mirë ndaj Teutës, por ajo ndeshje nuk ka asnjë vlerë nëse nuk mundim Laçin, – vijoi tekniku i Flamurtarit. – Nuk duhet të ndalemi në këto momente, sepse Kupa është objektivi ynë primar. Nëse fitojmë, do të jemi më të qetë për takimet e mbetura", shtoi Gjoka. 

Skënderbeu kampion zhvillon sot ndeshjen e parë të vështirë në Kupë, pasi do të përballet në transfertë me Kastriotin. Në kampionat, ekipi korçar arriti të fitonte, por këtë herë trajneri Mirel Josa i druhet shumë nënvlerësimit të kundërshtarit. Duke folur para mediave, ai ka pranuar se ka në dispozicion një ekip të aftë të fitojë në çdo fushë, por ndeshja ndaj Kastriotit është padyshim më e vështira. "Ne shkojmë si përherë, për të fituar, por kemi përballë një skuadër shumë të mirë, – tha Josa. – Kastrioti bën një rezistencë të fortë në fushën e vet, kështu që duhet të japim maksimumin që të marrim fitoren dhe të mos mendojmë për ndeshjen që zhvilluam në kampionat. Kam vendosur që të luaj me të gjithë titullarët, me qëllim që të evitojmë surprizat", u shpreh më tej ai. 
Ndeshjet 
Në takimet e tjera që luhen sot, Kukësi pritet ta ketë një shëtitje me Shkumbinin. Kjo, pasi peqinasit duken totalisht të përqendruar në kampionat, duke negli-zhuar shumë në Kupë, gjë që e kanë treguar edhe në dy takimet e mëparshme. Duke parë edhe përballjen e Kastriotit me Skënderbeun, Kukësi ka një shans të artë që të kalojë një rival direkt në luftën për vendin e dytë. Ndërkohë, në grupin B, Bylisi do të presë në shtëpi Teutën, në një ndeshje pa favoritë. Durr-sakët vijnë pas dy humbjesh, që e kanë ndërlikuar së tepërmi kualifikimin e tyre për më tej.