Kurrë më parë një rekord statistikash në futboll nuk kishte shkaktuar kaq polemika dhe debat. 88 golat e Lionel Mesit, që e ka kthyer argjentinasin në rekordmenin absolut për golat e shënuar në harkun kohor të një viti diellor, janë një temë dite kudo në futbollin europian. Pasi Mesi theu rekordin, vetë Gerd Myler deklaroi se ishte i lumtur me këtë arritje të sulmuesit të Barcelonës, duke e quajtur atë më të mirin në botë. Por, tashmë në dritë po dalin pretendime të tjera, siç ishte ai i djeshmi në Brazil, se në harkun kohor të një viti, është Ziko ai që ka realizuar më shumë gola. Një pretendim që shumë media e kanë lidhur me rivalitetin historik mes Brazilit e Argjentinës, që shpesh është parë edhe te deklaratat mes Peles dhe Maradonës. 

Ziko

Klubi Flamengos ka qenë i pari që ka kërkuar anulimin e rekordit të Mesit dhe dhënien e tij Zikos. Brazilianët pretendojnë se ish-sulmuesi i tyre ka shënuar 89 gola në vitin diellor 1971, 89 me fanelën e klubit, 7 me kombëtaren jeshilartë dhe 1 në një miqësore mes Brazilit dhe "Pjesës tjetër të botës". "Gjithçka që është duke u thënë këto ditë është e gabuar, – bëri të ditur klubi brazilian nëpërmjet koordinatorit Bruno Lucena. – Mesi nuk është shënuesi më i mirë i të gjitha kohërave në harkun e një sezoni. Ky për mua është një gabim i madh, javën tjetër do t'i drejtohemi FIFA-s për t'u ankuar për këtë", shtoi më tej Lucena. Ai madje ka premtuar një betejë të vërtetë për të ruajtur këtë rekord. "Do të luftojmë që të njihet rekordi i idhullit tonë, – deklaroi koordinatori i Flamengos. – Nëse miqësoret vlejnë për rekordin e fitoreve, atëherë vlejnë edhe për golat. Në sezonin 1978-1979, bëmë më shumë se 50 ndeshje pa humbje dhe kjo është regjistruar në muzeun e futbollit në San Paolo. Por, gjithashtu duhet të merren në konsideratë edhe golat e shënuar nga Ziko", shtoi më tej Lucena. 
 

Chitalu

Ndërsa brazilianët thonë se Ziko ka shënuar 89 gola, në Afrikë pretendojnë diçka tjetër. Federata e Zambias ka bërë të ditur se Godri Chitalu, sulmues i saj në vitet '70, ka shënuar 107 gola në harkun e një viti diellor. Madje, sipas saj, kjo ka ndodhur në vitin 1972, kur është vendosur edhe rekordi i Gerd Mylerit. "Përsa na përket nuk ka diskutime, golat e Chitalu janë një e dhënë e faktuar. I kemi të gjitha aktet, mund ta faktojmë, – deklaroi zëdhënësi i Federatës së Zambias Erik Muanza. – Mund të faktojmë se në cilën ndeshje dhe në cilën datë janë shënuar golat. Për shembull, në turin e parë të Kupës së Kampionëve në Afrikë, ai shënoi golat në të dy ndeshjet, por në atë të kthimit realizoi 7 herë në portën kundërshtare", shtoi Muanza. Edhe Zambia do t'i drejtohet FIFA-s për rekordin e Mesit. "E dimë që Mesi e Myler janë futbollistë shumë të mëdhenj, por ne do të kërkojmë të dimë për ç'arsye, rekordi i Chitalu, 5 herë futbollisti më i mirë në Zambia dhe ish-trajner i kombëtares sonë, nuk njihet", u shpreh më tej zëdhënësi i Federatës.