BRUKSEL – Pas bisedimeve maratonë, Ministrat e Financave të Eurozonës nënshkruan në orët e mëngjesit të së enjtes marrëveshjen që i jep fuqi mbikqyrëse Bankës Qendrore Europiane ndaj të gjitha bankave private që operojnë në zonën e monedhës së përbashkët.Marrëveshja cilësohet si tepër e rëndësishme dhe një hap i madh drejt unifikimit bankar të Eurozonës dhe i paraprin takimit e krerëve të Bashkimit Europian më vonë gjatë ditës së sotme.
Rregullat e reja të përcaktuara nga marrëveshja e Ministrave të Financave, që pritet të hyjë në fuqi në vitin 2014, synojnë parandalimin kolapseve bankare si dhe të shmangë ndërhyrjet e qeverive të Eurozonës.
“Arritëm një marrëveshje të rëndësishme për të vendosur një mekanizëm mbikqyrës për të gjitha bankat që operojnë në zonën e monedhës së përbashkët”, deklaroi ministri gjerman i financave, Wolfgang Schauble, ndërsa Komisioneri Michell Bariner shtoi se hap pas hapi bashkimi bankar europian do të ndërtohet dhe ky është një hap i rëndësishëm përpara.
Sipas marrëveshjes, bankat me më shumë se 30 miliard euro asete do të jenë në monitorim të përhershëm nga Banka Qendrore Europiane. Kësaj të fundit i shtohen kompetencat të ndërhyjë tek kreditorët dhe huadhënësit e vegjël në momentin e parë që vëren se diçka nuk shkon.
“Ministrat e Financave ndërmorën një hap gjigant përpara, një hap më shumë drejt integrimit financiar; një transferim domethënës kompetencash nga qeveritë kombëtare të Eurozonës, drejt Bankës Qendrore Europiane”, deklaroi gazetari i BBC-së, Gavin Hewitt.
Edhe para këtij pakti, ekzistonte një marrëveshej mes vendeve të Bashkimit Europian që i siguronte rolin mbikqyrës Bankës Qendrore Europiane, por risia qendron tek fakti se me marrëveshjen e re, BQE-së i jepet autoriteti të vendosë mbylljen e bankave që veprojnë brenda Eurozonës kur vëren se ato shkelin rregullat e përcaktuara.