EUROPE – Të paktën 24 persona kanë humbur jetën në Europë si pasojë e reshjeve të dendura të dëborës. Numri më i madh i viktimave të motit të keq është regjistruar në Zvicër, ku 11 persona janë varrosur për së gjalli nën dëborë si pasojë e rrëshqitjes së një orteku. Dy turistë të tjerë u lënduan fizikisht.
Në fundjavë viktima të motit të ftohtë u regjistruan edhe në Republikën Çeke, ku sipas autoriteteve të këtij vendi gjatë natës treguesi i termometrit është ulur deri në minus 27 gradë Celsius. Sipas policisë çeke, 7 persona kanë vdekur nga hipotermia: 5 persona ngrinë në Moravi dhe dy në pjesën qendrore të Republikës Çeke. Të paktën 6 vetë kanë humbur jetën në Ballkan – katër në Kroaci dhe dy në Serbi.
Motit të ftohtë nuk i ka shpëtuar as vendi fqinjë Italia. Autoritetet raportojnë temperatura më të ulëta se mesatarja e stinës. Reshje të dendura dëbore po mundojnë verilindjen e vendit, por trafiku në zonat e banuara nuk është cënuar prej saj.
Ndryshe paraqitet situata për arteriet kryesore të zonës së Triestes. Në një pjesë të këtyre rrugëve ka pasur bllokim të qarkullimit deri në pezullim të plotë. Në Val d’Aosta, termometri shënoi gjatë natës -18 gradë Celsius. Veriu i vendit bën llogaritë me dëborën, ndërsa zonat qendrore me të ftohtin e acartë dhe erërat e fuqishme.