Rritja e kriminalitetit dhe dhunës në familje kanë krijuar një situatë tepër kritike në vend e veçanërisht në Durrës. Tetori regjistroi krime të rënda me viktima gra të trajtuara barbarisht, para dhe pas vdekjes, në qarkun e Durrësit, po dhuna vijon të raportohet frikshëm. Në kontakt me shumë gra të dhunuara, divorci dhe gjendja ekonomike mbeten faktorë për qëndrimin nën dhunë.

Hapja e një procesi gjyqësor konsiderohet nga ndërmarrjet më serioze të një personi a një familjeje, pasi përfshirja në një proces gjyqësor do të thotë kosto e lartë për këdo, jo më për gra të dhunuara dhe persona në nevojë. E nëse jeni një prej atyre që do t’i drejtohet gjykatës, po nuk guxon pasi e di që nuk do të mund ta përballosh dot një proces gjyqësor, tashmë ekziston një mundësi, një derë e hapur që ofron mbështetjen e duhur ligjore.

Mbrojtje ligjore falas për viktimat e dhunës familjare, por edhe personat në nevojë ofrohet së fundmi si shërbim nga Shoqata e Grave me Probleme Sociale përmes mbështetjes nga Ministria e Drejtësisë dhe Agjencia për Mbështetjen e Shoqërisë Civile (ASHMC). Gazeta foli me avokaten Rezarta Agolli (Lisha) e angazhuar për mbrojtjen ligjore falas të grave dhe njerëzve me probleme ekonomiko-sociale, për të dhënë më shumë informacion për publikun dhe veçanërisht të interesuarit në përfitimin e kësaj ndihme të çmuar, që vjen në kohë të vështira.

“Ne kemi krijuar një klinikë ligjore–sociale për mbështetje e grave dhe vajzave viktima të dhunës në familje, si dhe grupeve në risk në qarkun e Durrësit. Aktualisht, po trajtojmë me ndihmë juridike falas në disa raste për zgjidhje martesore, pjestim pasurie mes bashkëshortëve, rillogaritje të pensioneve të pleqërisë etj.”,- thotë av. Agolli.

Rastet më të shumta janë ato të divorceve dhe pjestimit të pasurisë mes ish-bashkëshortëve. Në derën e klinikës ligjore kanë trokitur dhe mjaft persona në moshën e pensionit, po që kanë marrë përgjigje negative nga Drejtoria Rajonale e Sigurimeve Shoqërore dhe janë të detyruar që përmes padisë t’i drejtohen gjykatës, në të gjitha shkallët e gjykimit. Duke u ndalur te dhuna dhe pasojat e saj, avokatja sqaron se me mbështetjen e AMSHC-së gratë e dhunuara ndihmohen me asistencë të plotë ligjore që nga Urdhri i Mbrojtjes, përpilimi i kërkesave të ndryshme dhe kërkesë padive në gjykatë për zgjidhjen e martesës, si dhe përfaqësimi i tyre. 

Për të përfituar ndihmë ligjore falas, projekt që mbështetet nga Ministria e Drejtësisë individët duhet të provojnë që janë persona në nevojë përmes një sërë dokumentash. Kjo është një mundësi më shumë për njerëzit në nevojë, e cila duhet shfrytëzuar për të përfituar mbështetjen aq të kërkuar në përballje me kostot e larta të një procesi gjyqësor, duke nisur që nga tarifat zyrtare gjyqësore dhe deri te pagesa e avokatit, e për të mos folur në lidhje me kostot e paligjshme të një gjyqi.

Dhuna, sa pak besim dhe informacion ligjor

Një pjesë e mirë e grave nuk kanë informacion mbi bazën ligjore që i mbron ato nga dhuna dhe shumë të tjera nuk besojnë në zbatimin e ligjeve në fuqi për mbrojtjen e tyre. Besojnë se janë vetëm në betejën kundër dhunës dhe shpesh ndjehen fajtore për këtë. Avokatja Rezarta Agolli pranon se në përgjithësi gratë kanë shumë pak informacion mbi legjislacionin në fuqi dhe në rastet kur kanë dijeni janë mosbesuese. Shumica e viktimave të dhunës në familje paraqiten në gjykatë pasi u janë drejtuar të paktën njëherë organeve të rendit për mbrojtje nga dhunuesi i tyre dhe kur kuptojnë se ajo nuk ka të reshtur i drejtohen gjykatës për t’u ndarë nga bashkëshorti i dhunshëm.

Shumë të tjera në përballje me çmimet e larta që kërkojnë avokatët dhe gjyqtarët përmes shërbimit të ofruar nga psikologët tërhiqen para shkurorëzimit të shtrenjtë dhe vazhdojnë të durojnë dhunën dhe pasojat e saj në të gjithë familjen. Sipas avokates Lisha, struktura ligjore për mbrojtjen e grave të dhunuara është pothuajse e plotë, pasi vetë Urdhri i mbrojtjes është një garanci, ndërsa ndryshimet e bëra në Kodin Penal kanë bërë të mundur që të fillojë procedimi penal për personat që kryejnë dhunë në familje. 

Në Kodin Penal me ndryshimet e bëra është shtuar edhe një nen i veçantë që e trajton dhunën familjare si vepër penale dhe e dënon autorin me burgim gjer në 5 vjet, në varësi të rrethanave dhe pasojave. Në bazë të tij, “rrahja, si dhe çdo vepër tjetër dhune, ndaj personit që është bashkëshort, ish-bashkëshort, bashkëjetues apo ish-bashkëjetues, gjini e afërt ose krushqi e afërt me autorin e veprës penale, me pasojë cënimin e integritetit fizik, psiko-social dhe ekonomik të tij, dënohet me burgim gjer në dy vjet.

Kanosja serioze për vrasje ose plagosje të rëndë, ndaj personit që është bashkëshort, ish- bashkëshort, bashkëjetues apo ish-bashkëjetues, gjini e afërt ose krushqi e afërt me autorin e veprës penale, me pasojë cënimin e integritetit psikik të tij, dënohet me burgim gjer në tre vjet.” Po këtu parashikohet që plagosja e kryer me dashje dhe që ka shkaktuar paaftësi të përkohshme në punë më tepër se nëntë ditë, dënohet me burgim gjer në pesë vjet. Edhe përsëritja e këtyre veprave dënohet me burgim nga një vit gjer në pesë vjet.

Për avokaten Agolli, përfshirja e këtij neni në Kodin Penal duhet të shoqërohet me ndryshime dhe në Kodin e Procedurës Penale, ndryshime të cilat ende nuk janë bërë.

Divorcet dhe gratë e dhunuara

Të qëndruarit zyrtarisht në çift është kthyer në një problem gjithnjë e më të pranishëm në shoqërinë e sotme. Durrësi padyshim mund të zërë vendin e parë në shkallë vendi për numrin e lartë të divorceve mbi bazë popullsie, ndërkohë që shumë çifte të reja pavarësisht respektimit të ceremonialeve të bashkimit në çift, fejesës dhe martesës, parapëlqejnë të bashkëjetojnë.

Gjatë këtij viti janë regjistruar afro 520 kërkesa për divorc, ndërsa gjatë të gjithë vitit 2011 qenë regjistruar 566 raste me objekt “zgjidhje martese” dhe vetëm 14 prej tyre arritën të zgjidhen me pajtim. Çdo ditë në këndet e njoftimit gjyqësor ndesh një mori seancash gjyqësore me objekt “zgjidhjen e martesës” të bazuara në kërkesën e njërit prej bashkëshortëve për divorc, ndërkohë që ata që më së shumti vuajnë pasojat e tij janë fëmijët.

 

Me mbështetjen e AMSHC-së gratë e dhunuara ndihmohen me asistencë të plotë ligjore që nga Urdhri i Mbrojtjes, përpilimi i kërkesave të ndryshme dhe kërkesë padive në gjykatë për zgjidhjen e martesës, si dhe përfaqësimin e tyre. Për të përfituar ndihmë ligjore falas, projekt që mbështetet nga Ministria e Drejtësisë individët duhet të provojnë që janë persona në nevojë përmes një sërë dokumentash

Edhe avokatet me eksperiencë në fushën e çështjeve civile në Durrës pohojnë se numri i divorceve ka ardhur në rritje dhe shpesh këto kërkesa janë të nxituara, pasi kërkuesit e zgjidhjes martesore nuk analizojnë më gjatë pasojat e një divorci për veten dhe pjesëtarët e tjerë të familjes. Të gjithë bien dakort për rastet kur divorci është pasojë e dhunës në familje. Ndër shkaqet kryesore që çojnë zakonisht në zgjidhje martese janë problemet e bixhozit, borxhet e shumta, përdorimi i alkoolit, papunësia, si dhe tradhëtitë bashkëshortore.

“Këto shkaqe janë faktorët kryesorë edhe të dhunës e cila ushtrohet në mënyrë sistematike, fizike dhe psikologjike mbi bashkëshorten dhe kryesisht psikologjike mbi fëmijët.”,- pohon avokatja Rezarta Agolli e cila thotë se gjatë gjykimit, gjykata i trajton palët në mënyrë të barabartë, po si përfaqësues të mbrojtjes, me anë të provave avokatët mundohen që gjykata t’i kushtojë një vëmendje të veçantë rasteve të dhunuara, pasi palët në të shumtën e këtyre rasteve janë në konflikt të vazhdueshëm edhe me mbarimin e gjykimit.

Shpesh dhe avokatët mbrojtës të një gruaje të dhunuar kanë probleme, reagime nga dhunuesi: “Në sytë e bashkëshortit, avokati shihet si një person i cili është shkaktari i ndryshimit të mospajtimit të gruas me gjendjen e dhunës, që për dhunuesin është gjendje normale, ndërsa në fakt është gruaja e cila duke iu drejtuar gjykatës ka vendosur tashmë të ndryshojë jetën e saj”,- thotë Agolli.

A mbron Urdhri i Mbrojtjes?

Shumë gra ndër vite nën urdhër mbrojtjeje kanë vijuar të dhunohen, madje dhe të vriten. Rasti më i fundit ishte ai i Lime Dedejt, 41 vjeçares që u masakrua nga ish-bashkëshorti. Avokatja sqaron se Urdhri i Mbrojtjes zgjat në përgjithësi vetëm 20 ditë. Vërtet në rastet kur shkelet me ligj vepron policia, por në rastet kur nuk zbatohet, me ligj ky urdhër duhet të vihet në ekzekutim nga zyra e përmbarimit e cila ka afate të parashikuar me ligj për ekzekutimin e një vendimi. Edhe në rastet kur zgjat urdhri i mbrojtjes 3 muaj etj, kur bashkëshorti nuk bën ekzekutim vullnetar, deri në momentin që ai ekzekutim bëhët i detyrueshëm Urdhri pothuajse ka mbaruar dhe nuk ka më kushte për lëshimin e një urdhri tjetër.

Objekti i Ndihmës Ligjore Falas

a) çështje gjyqësore me objekt regjistrim lindjeje;

b) çështje gjyqësore për pensione pleqërie, pensione invaliditeti, pensione të parakohshme ose pagesa për personat me aftësi të kufizuar;

c) çështje gjyqësore për heqje zotësie për të vepruar;

ç) çështje gjyqësore për dhënie ndihme ekonomike;

d) çështje gjyqësore për vendosje kujdestarie për fëmijët ose detyrime ushqimore për ta;

dh)  çështje gjyqësore të viktimës së dhunës në familje;

e) zgjidhje martese;

ë) çështje gjyqësore për korrigjime të akteve të gjendjes civile etj;

h) hartim dokumentacioni për marrje ndihme ekonomike;

i) hartim dokumentacioni për gjendjen civile;

j) hartim dokumentacioni për të përfituar strehim nga shteti;

k) hartim dokumentacioni për fushën e sigurimeve shoqërore, humbjen e aftësisë në punë, çështje të marrëdhënieve të punës ose zgjidhje martese. 

Dokumentat për ndihmë ligjore falas

Nuk ka pronësi kapitale, me përjashtim të shtëpisë së banimit dhe tokës bujqësore.

-Është i regjistruar si punëkërkues/ i papunë.

– Vërtetim nga zyra e punës;

– Vërtetim nga zyra e tatim-taksave;

– Vërtetim nga zyra e sigurimeve shoqërore;

– Vërtetim nga zyra e regjistrimit të pasurive të paluajtshme;

– Vërtetim nga zyra e regjistrimit të automjeteve;

– Vërtetim nga seksionet pranë bashkisë nëse janë subjekte të regjistruara pranë tyre

– Vërtetim nga Inspektorati i Punës, nëse rezultojnë të punësuar informalisht