29nentor 2015 – Tyson Fury ka sfiduar Wladimir Klitschko në atë që ka qenë ndeshja më e shumëpritur e viteve të fundit në boks për peshat e rënda. Fury, i pamposhtur në 24 ndeshje, ka synuar të bëhet njeriu i parë që mund gjigantin ukrainas që nga koha kur Lamon Brewster e ka befasur 11 vite më parë. Histori që është përsëritur mbrëmjen e sotme me boksierin anglez që ka fituar me vendim unanim të gjyqtarëve, duke u bërë kampioni i ri i peshave të rënda.
Dy boksierët janë ndeshur përballë 50,000 tifozëve në “Esprit Arena” në Dyseldorf.

Kjo përballje duhej të ishte zhvilluar në shtator para se Kilitchko të kërkonte shtyrjen pas një dëmtimi të pësuar në pulpë. Sfida e mbrëmjes së sotme nuk ka qenë shumë emocionuese, ndërsa dy boksierët janë mundur më shumë të mbrohen sesa të sulmojnë. Fury ka bërë atë që duhej për të vjedhur raundet, ndërsa Klitschko është dukur i frikësuar nga rivali i tij dhe nuk ka provuar në asnjë moment të sulmojë. Boksieri anglez ka dominuar shtatë raundet e para të sfidës, edhe pse nuk ka bërë asgjë spektakolare për sa i takon sulmit. Fury ka fituar betejën psikologjike dhe ka neutralizuar çdo strategji që Klitschko mund të kishte përgaitur para ndeshjes. Sulmi i parë i vërtetë ka ardhur në raundin e nëntë kur Fury ka befasuar kampionin e botës me një goditje të fortë me të djathtën, ndërsa Klitschko ka arritur të ruajë ekuilibrin dhe të mbijetojë për të luftuar në raundin pasardhës. Ukrainasi është zgjuar në raundin e fundit duke goditur disa herë anglezin, por ka qenë shumë vonë, ndërsa Fury ka fituar me vendim unanim të tre gjyqtarëve. Anglezi ka befasuar botën dhe Klitschkon duke u bërë kampioni i botës në peshat e rënda.Sipas mediave britanike, Fury pas kësaj fitore ka arkëtuar 4 milionë funte (5.6 milionë euro).Kurse, vlera e përgjithshme e përballjes Klitschko – Fury, besohet se do të shkojë në 30 milionë funte (86 milionë euro), pas grumbullimit të të hyrave nga biletat dhe të drejtat televizive.

/portali DurresLajm/