28 nëntor 2015 – Për herë të parë prania e femrave që kryejnë marrëdhënie me femrat, të ashtuquajturat lesbike, është pranuar publikisht. Deklarata nuk vjen nga një drejtues ekipi apo persona të jashtëm, por nga vetë njëra prej futbollisteve të kampionatit shqiptar.
Ky fenomen deri tani është përfolur nën zë, por pa arritur që të pranohet botërisht. Një gjë të tillë ka marrë përsipër ta bëjë Marçela Ndoci, futbollistja që aktualisht luan për ekipin e Juban Danjës, skuadra e parë e krijuar në futbollin e femrave. Ndoci ka pranuar që të rrëfejë mbi ekzistencën e femrave që kryejnë marrëdhënie me femrat në ekipet e ndryshme të kampionatit shqiptar.
Sipas Ndocit, ky fenomen ekziston edhe në Kombëtaren shqiptare të futbollit të femrave, ndërsa tregon se si ajo vetë është ngacmuar seksualisht në një moment dhe menjëherë ka refuzuar duke u larguar nga vendi ku është ngacmuar nga një tjetër futbolliste e Kombëtares shqiptare.
“Po, është e vërtetë se ekziston si fenomen në futbollin e femrave në Shqipëri. Mund të pohoj se në ekipe të ndryshme në futbollin e femrave në Shqipëri ka femra, të cilat janë lesbike dhe kryejnë marrëdhënie me njëra-tjetrën. E kam pasur të vështirë që ta besoj, por tashmë të gjithë e dinë edhe pse nuk flasin”, thotë Ndoci ekskluzivisht për “Panorama Sport”.
/portali DurresLajm/