27 nëntor 2015 – Një vit pezullim dhe 468 euro gjobë për Ruben Gomez Bustamante, ish-lojtar i ekipit të Celtic de Pulianas (nga i cili është shkarkuar pas episodit skandaloz), sepse ka tentuar të godasë një gjyqtare anësore me penis gjatë një ndeshjeje mes Abes dhe Gabias, e vlefshme për Kategorinë e dytë të Andaluzisë. Vendimi është marrë nga komiteti organizator i Federatës së Futbollit të Andaluzisë, pasi ka lexuar raportin e arbitrit.

Lojtari, i cili ka qenë në stadium për të ndjekur ndeshjen në fjalë, ka zbritur në fushë dhe ka sulmuar gjyqtaren anësore. “Në asnjë moment nuk kam ulur poshtë pantallonat. Kanë qenë njerëzit që kanë filluar të bërtasin dhe të qeshin, duke thënë se kam nxjerrë penisin dhe se kam prekur me të anësorin. Arbitri i ka besuar këtyre zërave dhe e ka shkruar në raport”, është justifikuar Bustamante në një intervistë për portalin ABC. “Ajo që më bezdis më shumë është fakti se më trajtojnë si maskilist, kur anësori nuk ka qenë femër. Në raport nuk thuhet kjo. Ishin dy anësorë, por femra ishte në anën tjetër. Ka mijëra dëshmitarë”, ka thënë ai.

27-vjeçari është shkarkuar në ditët e kaluara nga klubi Celtic de Pulianas, ekip që luan në një kategori superiore, Primera Division Andaluza, sepse dëmtonte imazhin e skuadrës. Drejtësia sportive lokale nuk ka marrë asnjë masë ndaj Celtic. Në raportin e tij Jesus Lorenzo Rodriguez ka shkruar se: “Është futur në fushë, ka nxjerrë penisin dhe ka provuar të godasë gjyqtarin anësor”. Nuk ka pasur asnjë dyshim në lidhje me identitetin e agresorit, sepse “vishte një tutë të skuadrës dhe e njoh sepse kam arbitruar disa ndeshje të skuadrës së tij”.

/portali DurresLajm/