26 nëntor 2015 – Pas suksesit historik ndaj Sportingut të Lisbonës, Skënderbeu ka zbarkuar në Turqi me misionin për të bërë një tjetër paraqitje dinjitoze në grupet e Europa League-s. Kampionët e Shqipërisë kanë zhvilluar edhe seancën e fundit stërvitore në stadiumin Ataturk për t’u ambientuar me tapetin e impiantit të Stambollit ku do të përballen me një Besiktash të etur për pikët e kualifikimit. Përballja e parë në “Elbasan Arena” përfundoi me fitoren minimale 1-0 të turqve, por Josa e vlerëson kundërshtarin e radhës si ndër më të fortët e Grupit.
“Luajmë përballë një kundërshtari që vjen në rritje dhe këtë e ka treguar edhe në kampionat. Besiktashi është ndoshta skuadra më e fortë e Grupit pavarësisht pikëve që kanë skuadrat e tjera. Ne i njohim cilësitë e Besiktashit.” Atmosfera në kampin e Josës ka qenë entuziazmuese siç duket edhe në imazhet e seancës së fundit stërvitore, me trajnerin e kampionëve të Shqipërisë që e bëri të qartë në konferencën tradicionale të shtypit se Skënderbeu luan pa presion por me një obligim.
“Fitorja ndaj Sportingut të Lisbonës na ka rritur përgjegjësitë. Falë asaj fitoreje edhe Besiktashi synon kualifikimin, por pavarësisht se vijmë pas këtij suksesi çështja është se si do ta interpretojë skuadra ime këtë ndeshje. Ne kemi obligimin për të rritur autoritetin tonë si skuadër dhe si individë”. Për sa i përket formacionit dilema e vetme i përket balotazhit mes Arapit dhe Abazit në të majtë të mbrojtjes me Vangjelin që do të jetë në të djathtë dhe Radas e Jashanicën në qendër. Me Shkëmbin dhe Nimagën të padisponueshëm, Josa pritet të spostojë Esquirdinhën pranë Lilajt në qendër të mesfushës me Latifin e Berishën nga krahët ndërsa në sulm dyshja tip Salihi- Olyainka që do të kenë detyrën për të shfrytëzuar në maksimum rastet e krijuara. Padyshim që Skënderbeu duhet të tregohet i kujdesshme për të evituar një humbje të thellë, por në konceptin e Josës një skuadër nuk mund të luajë vetëm në mbrojtje.
“Ne do t’i kushtojmë shumë rëndësi fazës mbrojtëse, por një skuadër nuk mund të luajë gjithë ndeshjen në mbrojtje pasi qoftë për gabimin tënd qoftë për meritë të kundërshtarit vjen një moment që ndëshkohesh ndaj ne do të kërkojmë shanset tona”. Takimi Besiktash-Skënderbeu do të drejtohet nga një trupë arbitrash e kryesuar nga polaku Pavel Gil, një emër ky fatsjellës për Skënderbeun pasi ishte i njëjti gjyqtar që drejtoi takimin Skënderbeu-Neftchi në paraleminatoret e Champions League 2013-2014 ku me fitoren 1-0 Skënderbeu siguroi për herë të parë kalimin e një turi në kompeticionet Europiane.
/portali DurresLajm/