26 nëntor 2015 – Ardhja e Ylli Manjanit në krye të Ministrisë së Drejtësisë, pritet të sjellë edhe ndryshime, në disa prej institucioneve në varësi të saj në rrethe. Diskutimet janë hapur se LSI në Durrës, do të marrë drejtimin e ZRPP-së, e cila aktualisht drejtohet nga Jurgis Çyrbja, ish-kandidat për deputet i PS-së në Durrës.
Zërat flasin se kanë nisur diskutimet që kjo drejtori shumë e rëndësishme t’i kalojë LSI-së, krahas shumë institucioneve të tjera në Durrës, si Hekurudha, Sigurimet Shoqërore, AKU –ja, Porti, etj., që drejtohen nga LSI, pas marrëveshjes midis dy partive PS-LSI, pas zgjedhjeve të 23 qershorit 2013, për ndarjen e pushtetit.
I pyetur nga "DurresLajm", drejtori aktual i Zyrës së Regjistrimit të Pasurive Jurgis Çyrbja tha se ka diskutime, por kjo mbetet e pakonfirmuar ende.
/K.H. portali DurresLajm/