24 nëntor 2015 – Arlind Ajeti te Frosinone do të jetë në Serinë A destinacioni i rradhës për mbrojtësin e Kombëtares Shqiptare. Ajeti ishte një futbollist i lirë që nga vera e kaluar kur u largua nga Baseli, klub ku ishte rritur futbollistikisht duke qenë pjesë e tij që në ekipet zinxhir.
Lajmi jepet nga mediat italiane, me “Tuttomercatoëeb” që madje e bën gjithçka zyrtare duke informuar se Ajeti madje ka firmosur me Frosinonen një kontratë 7 mujore për pjesën e mbetur të sezonit, por që rinovohet automatikisht për dy vitet e ardhshme nëse Frosinone arrin të sigurojë qëndrimin në Serinë A.
Më i përmbajtur është në konfirmimin e tij gazetari Gianluca Di Marzio i mirëinformuar për çështjet e merkatos i cili bën të ditur se Ajeti do të kryejë këtë të martë vizitat mjekësore me Frosinonen, ç’ka lë të kuptohet se klubi italian do të presë përfundimin e tij për të zyrtarizuar transferimin e 22-vjeçarit.
Në këtë mënyrë Ajeti fiton një vitrinë të rëndësishme si Seria A ku mund të shfaqë vlerat e tij në një prej kampionateve më elitarë të Europës, duke qenë njëkohësisht më pranë vëzhgimit të trajnerit të kombëtares Gianni De Biasi. Gjetja e një skuadre për pjesën e mbetur të sezonit pas disa muajsh si futbollist i lirë është në fakt thelbësore për shanset e mbrojtësit për të qenë me Kombëtaren Kuqezi në Euro 2016.
/portali DurresLajm/