24 nëntor 2015 – Një mbledhje të zgjeruar kanë zhvilluar këshilltarët e PD-së në Durrës, mbrëmjen e së hënës, pas marrjes së njoftimit për mbledhjen e Këshillit Bashkiak. Në lidhje me mbledhjen e zhvilluar, Osman Stafa kreu i PD-së së Durrësit, deklaroi se të gjithë këshilltarët, unanimisht propozuan që të kërkojnë shtyrjen e mbledhjes së Këshillit Bashkiak, me motivacionin se projektvendimet e mbërritura nuk janë shoqëruar me relacionet shpjeguese nga ana e bashkisë së Durrësit.

Për këtë qëllim, të martën në mëngjes i është dërguar një shkresë zyrtare Bashkisë së Durrësit nga ana e PD-së, duke i kërkuar shtyrjen e mbledhjes së Këshillit me 5 ditë afat dhe dërgimin e materialeve sqaruese për projektvendimet e paraqitura në rendin e ditës. Zyrtarisht u bë me dije se këshilltarët e PD-së patën mjaft kontestime lidhur me rendin e ditës.

“Materiali për paketën fiskale të 2016-s në vijim, dokumenti bazë i ekonomisë së një qyteti, është dërguar me email në ndërtesat e këshilltarëve të hënën në mbrëmje, ky material do kohë që të shqyrtohet e të dilet me konkluzione. Këshilltarët janë të papërgatitur sepse relacioni erdhi me vonesë. Po kështu ndërmarrja e Ujësjellësit ka propozuar rritje të tarifave të ujit e të kanalizimeve, por nuk ka asnjë material sqarues nga kjo ndërmarrje. Projektvendimi për shpalljen e emergjencës mjedisore paraprakisht duket si një qokë, që bashkia kërkon t’ia bëjë dikujt afër saj, sesa si zgjidhje. Për të gjitha këto kontestime ne kërkuam shtyrjen e afatit deri javën tjetër, për t’u përgatitur”, bëhet me dije nga Stafa.

Ndërkaq, burimet brenda bashkisë së Durrësit saktësuan se mbledhja e Këshillit Bashkiak është shtyrë, sepse në rendin e ditës janë futur edhe katër pika të tjera shtesë krahas 10 të planifikuarave. 

/K.H. portali DurresLajm/