24 nëntor 2015 – Deputetët demokratë në Komisionin e Shëndetësisë, Albina Deda dhe Roland Keta ishin sot në QSUT për të parë nga afër gjendjen e Urgjencës dhe disa shërbimeve pas mungesës 24 orëshe të ujit dhe largimit të disa pacientëve nga mjediset spitalore.
Deputetët diskutuan me disa shefa pavionësh, mjekë dhe të afërm të pacientëve të cilët ngritën shqetësimin për bllokimin e shërbimeve, gjendjen kritike që u krijua nga mosfurnizimi me ujë. Pas vizitës, deputetja Albina Deda dhe Roland Keta u shprehën për mediat se ky është një skandal i paprecedent i shkaktuar jo nga natyra, por nga papërgjegjshmëria e kryetarit të bashkisë dhe ministrit të shëndetësisë, duke krijuar panik e përkeqësim të gjendjes tek pacientët dhe tek stafi mjeksor në QSUT.
“Ministri është i angazhuar në babëzinë e abuzimit të tenderave shumë milonëshe dhe nuk ndërhyn për të siguruar shërbimet më qënësore. Uji ka ardhur pas 24 orësh mungesë por nuk është vertetuar nëse është i pastër dhe i shfrytëzueshëm për spitalet”, tha Deda.
“Tirana pa ujë prej tre ditësh nuk tolerohet si fakt por mosfurnizimi i spitaleve është akt çnjerëzor, një katastrofe me shkaktar jo natyrën siç mundohet ta paraqesë Beqaj dhe Veliaj, por hallkat e sistemit që nuk funksionojnë, shto këtu papërgjegjshmerinë e kryeministrit, ministrit të shendetesisë dhe kryetarit të bashkise”, tha deputetja Deda.
Përfaqësuesit e PD u shprehën se është e pafalshme dhe mizore që ministri beqja dhe kryeministrin turist dhe piktor ekspozitash shqetësohen vetëm për tenderat qindra milion euro, kur pacientët e QSUT, nuk kanë ujë, nuk kanë barna në spital, kushtet në pavione janë skandaloze, dhe qytetarët blejnë gjithçka vetë. Nuk kanë ujë as për ndërhyrjet kirurgjikale, ndërkohë që spitali ushtarak përmbytet. Sot kemi një kaos që nuk ndodhi as në vitin 97, dhe personeli profesionist është përjashtuar nga çdo vendimmarrje.
/portali DurresLajm/