21 nëntor 2015 – Mesfushori me origjinë shqiptare, Arijan Ademi është dënuar me 4 vjet pezullim nga çdo aktivitet pasi rezultoi pozitiv në testin e dopingut të bërë pas ndeshjes së UEFA Champions League mes Dinamos së Zagrebit dhe Arsenalit. Vendimi është marrë nga Komisioni i Disiplinës dhe hyn në fuqi menjëherë. Klubi kroat ka reaguar menjëherë me një deklaratë të publikuar në Twitter ku konfirmon lajmin e pezullimit dhe thekson se mbetet i shokuar.

Mesfushori i Kombëtares Maqedonase duhet të qëndrojë jashtë fushave deri në vitin 2019 kur ai të jetë 28 vjeç dhe me shumë mundësi ky vendim i ka dhënë fund karrierës së tij. Vetë mesfushori ka reaguar për mediat kroate duke u shprehur se nuk ka fjalë ta përshkruajë gjendjen e tij në këto momente. “Nuk jam fajtor sepse nuk kam bërë asgjë të keqe për të merituar një dënim të tillë. Kjo është e tmerrshme. U lutem të gjithëve të më kuptojnë“, thekson 24-vjeçari. Në komunikatën e UEFA-s bëhet me dije se nuk do të ketë asnjë masë ndëshkimore për klubin pasi rregullorja parashikon që klubi preket vetëm në rast se rezultojnë pozitivë dy ose më shumë futbollistë.

/portali DurresLajm/