21 nëntor 2015 – Kryetari i Partisë Demokratike të Sarandës, Hariz Mema është sulmuar mbrëmje e djeshme nga dy persona ende të paidentifikuar. Teksa ishte duke lëvizur në shëtitoren e qytetit, mësohet se ai është goditur nga dy të rinj me doreza hekuri në kokë dhe është dhunuar edhe me grushte e shkelma në pjesë të ndryshme të trupit.

Mema u dërgua në spital për ndihmë mjekësore dhe mësohet se është jashtë rrezikut për jetën, pasi ka pësuar dëmtime të lehta.

Policia e Sarandës ka nisur hetimet për të mësuar shkaqet e këtij sulmi si dhe për të identifikuar autorët. Para efektivëve të Policisë, kreu i PD-së së Sarandës ka deklaruar se nuk ka konflikte me asnjë person.

Në lidhje me këtë ngjarje, ka reaguar edhe Partia Demokratike, duke e quajtur sulm banditesk dhe kërkon hetimin e ngjarjes dhe vënien para drejtësisë së autorëve.

Reagimi i PD-së

Partia Demokratike dënon me ashpërsinë më të madhe sulmin banditesk ndaj kryetarit të Degës së Sarandës z. Hariz Mema. Ne i kërkojmë autoriteteve të rendit dhe prokurorisë të veprojnë pa asnjë vonesë për arrestimin e autorëve të këtij krimi të shëmtuar dhe për vënien e tyre para drejtësisë si dhe zbardhjen e motiveve dhe porositësve të këtij akti të ulët banditesk. Partia Demokratike i uron shërim të shpejtë z. Mema dhe shpreh solidaritetin e saj të plotë njerëzor dhe politik me të dhe familjen e tij. Dhunuesit dhe porositësit e këtij sulmi do të japin llogari deri në një.

/portali DurresLajm/