20 nëntor 2015 – Dy javë kampionati brenda një jave kohore. Këtij “regjimi” duhet t’i nënshtrohen skuadrat e Superiores, për shkak se bënë pushim fundjavën e kaluar, ngaqë kombëtarja kuqezi luajti dy ndeshjet miqësore. Natyrisht, për këllqet e lojtarëve tanë, një densitet i tillë sfidash është tej “normës”, por kalendari i aktivitetit duhet respektuar.

Më i prekur duket Skënderbeu, që duhet të luajë edhe në Ligën e Europës, gjë e cila, pak a shumë, ka filluar të ndihet te kuqebardhët.Humbja e dytë në kampionat, e fiksuar dje në Kukës, dëshmon për një “shtrydhje” të juglindorëve, sidomos në aspektin fizik, por edhe psikologjik. Superioren e kryeson Partizani, me 29 pikë, pas 11 javësh kampionat, e vetmja skuadër pa humbje, i ndjekur nga afër prej Skënderbeut, me 25 pikë.

Në fund janë Bylis dhe Vllaznia, që duket se do të “notojnë” në “ujërat” e mbijetesës gjithë sezonin. Listën e shënuesve më të mirë e kryeson Hamdi Salihi i Skënderbeut, me 8 gola, i ndjekur nga Xhevahir Sukaj i Partizanit dhe Olayinka i kuqebardhëve, me nga 7 gola secili.

Java e 12-të e Superiores është “zbardhur” tashmë nga FSHF-ja, sa u takon orareve dhe ditëve të zhvillimit të saj. Të dielën dhe të hënën do të zhvillohet ky “stacion” i garës, konkretisht më 22 dhe 23 nëntor. Të dielën do të luhen tri ndeshjet e para. Në orën 13:00 do të fillojnë në Ballsh dhe në Laç sfidat Bylis-Tirana dhe Laçi-Flamurtari, ndërsa ndeshja e tretë e kësaj dite do të zhvillohet në Korçë. Në stadiumin “Skënderbeu”, në orën 16:00, nën dritat e prozhektorëve, Skënderbeu do të presë pukjanët. Një ditë më pas, pra të hënën e javës që vjen, do të luhen dy ballafaqimet përmbyllëse, që fillojnë në të njëjtën orë, 17:00. Në Durrës, Teuta pret Kukësin, ndërsa në “Qemal Stafa”, Partizanit do të përballet me shkodranët e Vllaznisë.  

Kategoria Superiore,

Java e 12-të 22.11.2015

BYLIS-TIRANA (13:00)

LAÇI-FLAMURTARI 13:00

SKËNDERBEU-TËRBUNI (16:00)  

23.11.2015

PARTIZANI-VLLAZNIA (17:00)

TEUTA-KUKËSI (17:00)

/portali DurresLajm/