19 nëntor 2015 – Shtypi spanjoll e ka thjeshtuar “çështjen” me fjalë të ashpra: “Lojtarët e Real Madrid kundër Benitez”. Lojtarët në fjalë janë: CristianoRonaldo, Sergio Ramos dhe Marcelo. Ose më saktë elementët më të rëndësishëm të ekipit.

Njëzet minuta në dhomat e zhveshjes në qendrën sportive të Valdebebas ku tre futbollistët i kanë thënë Rafas: kundër Barcelonës duhet të sulmojmë më shumë, po i lëmë shumë hapësira kundërshtarëve. Dhe kundër një rivali si Barça këto gabime taktike mund të paguhen shtrenjtë. Nuk mund t’ia lejojmë vetes. Sipas Marca-s, Benitez duket se ka rënë dakord me kërkesat: edhe ai po mendonte për të ndryshuar skemat. Por nuk duhet harruar se në ndeshjet e fundit Reali nuk ka pasur në dispozicion lojtarë si Bale, Benzema dhe James Rodriguez.

Megjithatë, kjo tregon se në shtëpinë e Realit pakënaqësitë kundrejt Benitez po shtohen. Ndeshja e fundit e kampionatit, e luajtur 7 nëntorin e kaluar, Sevilla-Real 3-2, është kujtimi i freskët dhe i shëmtuar i një sezoni që nuk po zhvillohet ashtu siç pritej.

Barcelona është 3 pikë para dhe nuk mbetet gjë tjetër vetëm që të pritet sfida e së shtunës, që mund të largojë çdo pakënaqësi ose mund t’i theksojë akoma më shumë ato.

/portali DurresLajm/