19 nëntor 2015 – Ndeshja e së mërkurës, më 18 nëntor, Tërbuni-Bylis (4-2) e zhvilluar në stadiumin “Ismail Xhemali” të Pukës, ishte një skandal i vërtetë, ku mjaftonte vetëm kultura dhe dija e pakët për futbollin, për të kuptuar dhe dyshuar se rezultati ishte trukuar. Reagimi i Federatës Shqiptare të Futbollit nuk ka munguar. Në mbrëmje vonë, zyra e shtypit në FSHF, nëpërmjet zëdhënëses së saj Jona Dervishaj, ka njoftuar se takimi në fjalë do të jetë shpejt objekt ishqyrtimit të Komisionit të Etikës. “Ndeshja Tërbuni- Bylis do të jetë pjesë e hetimeve nga Komisioni i Etikës. Shumë shpejt, ky komision do të shqyrtojë raportet e zyrtarëve të ndeshjes dhe pamjet filmike”, është shprehur ajo për “Panorama Sport”. Për të mos lejuar njollosjen e këtij edicioni, madje në tërësi futbollin shqiptar, pritet që vendimet e Komisionit të Etikës në FSHF të marrin masa ndëshkimore ndaj të dy ekipeve. Sipas rregullores së Disiplinës, përveç ndëshkimit me gjoba dhe pezullimeve të lojtarëve të veçantë deri në 6 muaj nga futbolli, masat ndëshkimore mund të shkojnë deri në përjashtimin e skuadrave nga kampionati i Superiores.

/portali DurresLajm/