19 nëntor 2015 – Një fjalim gjithë akuza kundrejt qeverisë dhe me deklarata surprizuese ka mbajtur gjatë seancës së sotme parlamentare ish-kryeministri Sali Berisha. Duke folur nga foltorja e Kuvendit, Berisha tha se Emiliano Shullazi ka marrë peng para një jave kreun e bashkisë së Durrësit, Vangjush Dakon, të cilin sipas tij e ka mbajtur peng për një natë duke e kërcënuar me pistoletë te koka.
Për këtë ngjarje që ka ndodhur sipas Berishës, ai tha se mazhoranca ka dijeni por e kanë mbajtur të fshehtë, pasi kanë frikë nga kryeministri Rama dhe nga vetë Shullazi.
“Shullazi rrëmbeu para një jave Vangjush Dakon. E mbajti një natë. Me qytë të revoles i kërkoi tokën e tij. E dini të gjithë, por e fshihni. Pse e fshihni? Keni frikë Ramën, keni frikë Shullazin. Por do vdisni nga frika. Ka prej jush njerëz me integritet. Po si e fshihni ju pengmarrjen që i bëri Shullazi kryetarit të Bashkisë. Ai mori peng një nga njerëzit më të afërm të Edi Ramës. Gjushi është më i afërmi i Edi Ramës, sepse ai i çon baulen me para”, u shpreh Berisha.
Sipas ish-kryeministrit, Shullazi nuk i mban lidhjet me ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri, por me vetë kryeministrin Edi Rama, me të cilin takohet shpesh. Ndërkohë që shtoi se urdhri për lirimin e tij kur u kap me armë te Rruga e Kavajës, është dhënë nga vetë lideri i qeverisë, Rama.
/S.L. portali DurresLajm/