18 nëntor 2015 – Teuta arriti një fitore të rëndësishme në transfertë ndaj Vllaznisë. Skuadra durrsake fitoi me rezultatin minimal 0-1 falë një penalltie të shëndërruar në gol nga Hodo. Skuadrën shkodrane nuk e ndihmoi as kthimi pas shtatë muajsh në shtëpi për të rigjetur fitoren në kampionat, ndaj Teutës. Në Reshit Rusi, vendosi një gol i shënuar me 11-metërsh nga Hodo, pas një vendimi të gjyqtarit Sadiku që u kontestua ashpër nga vendasit.

Edhe pse Vllaznia luante në Shkodër  tifozët vendas nuk e mbushën në kapacitet të plotë “Reshit Rusin”, kur edhe rrjeta e njërës prej portave kishte nevojë për rregullim para se gjyqtari të sinjalizonte nisjen e takimit. Në mungesë të Sosa-s, Grima i besoi një fanellë titullari në fazën sulmuese Pavecevicit, ndërsa në vend të Krymit u aktivizua Haxhibulic.

Vllaznia iu afrohet rrezikshëm zonës së Teutës pa u mbushur një minutë loje, teksa tentativa me roveshatë e Kalajës, u kontrollua pa shumë probleme nga Moçka. Loja u ndërpre për disa minuta kur ishte mbushur çerek ore lojë për t’u ardhur në ndihmë Haxhibulicit të Vllaznisë dhe Bruno Ditës së Teutës, të cilët u dëmtuan në një dyluftim ajror. Grima detyrohet të bëjë një ndërrim duke aktivizuar Kapaklijën në vend të Haxhibulic. Në të 22-ën, në zhvillimet e një rivënie anësore Musta nuk e shinjestroi si duhet portën vetëm pak metra larg vijës fatale.

4 minuta më pas një aksion i shpejtë nga e djathta e sulmit të Vllaznisë nuk u finalizua si duhet nga Arbëri, që goditi jashtë. Në minutën e 35 -të rreziku u zhvendos në portën e Vllaznisë, ku Dragojeviç duhej të ndërhynte me këmbë për të neutralizuar goditjen e Maganit.

Pjesa e parë u mbyll me rrjeta të paprekura, por në fraksionin e dytë pikërisht në të 54-n, Teuta fitoi një 11-metërsh pas rrëzimit në zonë të Shakllës. Nuk ka asnjë dyshim gjyqtari Sadiku, i cili ndëshkon me karton të verdhë tre futbollistë të Vllazninë për protestë.

Goditjen nga pika e bardhë e mori përsipër Hodo, me Dragojevic që nuk i kupton as krahun futbollistit durrsak. Goli i shënuar i dha qetësi skuadrës durrsake, ndërsa kuqeblutë ishin të paqartë në fazën sulmuese. Në minutën e 75 Grima hodhi në fushë sulmuesin Martinez në vend të Kalajës, por asgjë nuk ndryshoi deri në vërshëllimën e fundit të gjyqtarit Sadiku, pavarësisht se Vllaznia ishte e pafat në të 86, kur goditja me kokë e Pavicevic u devijua vështirësisht nga Moçka. Me këtë humbje Vllaznia e komplikon edhe më shumë situatën në tabelën e renditjes, pasi kjo disfatë e zbret në vendin e fundit, me vetëm 5 pikë në 11 ndeshje.

/portali DurresLajm/