18 nëntor 2015 – Ka qenë ky një ndër takimet më të rëndësishme politike, mes dy vendeve. Kryeministri Edi Rama dhe Sekretari i Jashtëm i Britanisë së Madhe, Philip Hammond, patën sot një koferencë për shtyp, ku qendra e bisedimeve ka qenë koordinimi për luftën kundër terrorizmit, lufta kundër krimit të organizuar dhe prespëktiva europiane e Shqipërisë.
Kryeministri Edi Rama:“Është kënaqësi t’i urojmë mirëseardhjen, Sekretarit të Shtetit për Punët e Jashtme, ndryshe ministri i Jashtëm i Britanisë së Madhe, në një vizitë të posaçme, me kënaqësinë po ashtu që na jepet mundësia të diskutojmë lidhur me sfida gjithmonë e më të përbashkëta kundër barbarisë së ekstremizmit dhe të gjitha formave të shfaqjes kërcënuese të saj, si një kërcënim për civilizimin tonë dhe për gjithçka është arritur nga familja e madhe e botës demokratike, me të cilën Shqipëria jo vetëm ndjehet e lidhur shpirtërisht dhe moralisht, por edhe e lidhur në aspiratën për t’u bërë pjesë integrale e saj. Po ashtu është kënaqësi që na jepet mundësia të ndajmë sëbashku edhe bindjen se sot më shumë se asnjëherë tjetër, Europa ka nevojë për Ballkanin njësoj siç Ballkani ka nevojë për Europën. Mes Europës dhe Ballkanit dhe posaçërisht Ballkanit që është ende jashtë Bashkimit Europian, është koha për të forcuar edhe më shumë marrëdhënien e bashkëpunimit në çdo fushë dhe për të ecur dorë për dorë, që një orë e më parë edhe Ballkani, i gjithi të jetë pjesë e Bashkimit Europian.”
Sekretari Philip Hammond: “Zoti kryeministër, faleminderit për faktin që gjetët kohë të më prisnit sot, këtu. Është kënaqësi e madhe të vizitoj Tiranën, është vizita ime e parë në Tiranë.
Ne kemi një raport të shkëlqyer dypalësh, bashkëpunim mjaft të fortë, sidomos në punët e brendshme në këtë portofol, duke luftuar krimin sëbashku, duke luftuar së bashku migracion e paligjshëm, kontrabandimin e drogërave, si dhe trafikimin e njerëzve. Kësisoj do të doja që të përmendja dhe t’i nderoja të gjitha përpjekjet që ju keni bërë si qeveri dhe si ministri, për të kryer reforma që janë shumë të rëndësishme dhe zhvillime në këtë fushë. Kemi gjithashtu, bashkëpunim të shkëlqyer në siguri, në mbrojtje e bashkëpunim ushtarak. Shqipëria është një partner mjaft i mirë në NATO dhe gjatë viteve të kaluara kemi filluar të punojmë sëbashku, duke organizuar manovra të përbashkëta ushtarake, qoftë edhe këtu në Shqipëri. Në fakt presim me padurim që të zhvillojmë më tej bashkëpunimin në të ardhmen, gjithashtu edhe që ju të modernizoni ushtrinë tuaj dhe të rrisni kapacitetet tuaja si pjesë e familjes së NATO-s.
Gjithnjë në Mbretërinë e Bashkuar kemi qenë mbështetës të mëdhenj të zgjerimit të Bashkimit Europian dhe e mbështes me forcë atë që ju thatë, nevoja që Ballkani të ecë drejt Europës, duke bashkëndarë vlerat dhe aspiratat e Bashkimit Europian dhe po kështu, programin reformues që ju po zhvilloni, si një hap thelbësor në këtë rrugëtim, që i sjell përfitime të mëdha në vetvete Shqipërisë, por nga ana tjetër e lejon Shqipërinë të ecë përpara në trajektoren e vet europiane, sidomos sa i përket reformës në sistemin e drejtësisë, e cila e di që është e vështirë, por absolutisht thelbësore për të krijuar mjedisin e shtetit të së drejtës, çka do të jetë baza e investimeve në ekonominë shqiptare, që në fakt qëndron në themel të vlerave tona të bashkëndara në BE, për të ecur përpara. Në qoftë se do të vazhdojmë sëbashku, qoftë mbi baza dypalëshe dhe përmes Bashkimit Europian, për të forcuar rrugëtimin e Shqipërisë drejt Europës, presim me padurim ta bëjmë këtë dhe do t’ju japim çdo mbështetje e inkurajim që mundemi, në vazhdimësi të këtij rrugëtimi.”
/portali DurresLajm/