18 nëntor 2015 – Një ngjarje mjaft e pazakontë ka ndodhur në futbollin italian. Futbollisti shqiptar, Armando Hysenaj e ka pësuar keq, vetëm pse foli shqip.
Futbollisti i Tagliamentos është ndëshkuar me karton të kuq për shkak të një goditjeje që ia kishte dhënë lojtarit kundërshtar. Pasi e mori kartonin e kuq, lojtari iu drejtua gjyqtarit, duke iu betuar se nuk kishte bërë gjë. Mirëpo, betimin e bëri në gjuhën shqipe dhe gjyqtari mendoi që po e fyente në gjuhë të huaj, e cila është e ndaluar të përdoret kur flitet me arbitrin.
Më pas, Gjykata Sportive italiane e ka përdorur një përkthyes, për ta kuptuar se çka donte të thoshte Hysenaj. Më pas, çuditërisht, lojtari u dënua me katër ndeshje, nga klubi i ligës së dytë inferiore italiane. Madje, ky ishte dënimi më i lehtë, sepse ai mund të dënohej deri në shtatë ndeshje. Tagliamento ka bërë ankesë për këtë vendim.
/portali DurresLajm/