17 nëntor 2015 – Duket se merr fund “migrimi” i skuadrës shkodrane për t’i luajtur ndeshjet si pritëse në Pukë. Kjo gjë ka ndodhur deri tani, por faza e dytë e kampionatit ka ndryshuar mendjen e drejtuesve të FSHF-së, që kanë hapur “dritën jeshile” për “Reshit Rusin”. Në fakt, kushtet aktuale të kësaj fushe sportive në Shkodër janë plotësuar që në fillim të kampionatit, por federata nuk kishte lejuar të luhej aty. Ndoshta mosmarrëveshjet për kontratën në lidhje me stadiumin “Loro Boriçi”, që po rikonstruktohet “themelesh”, i ka lënë palët në “llogore”. Zbutja e këtij problemi dhe njëlloj akordi për kushtet e kontratës së përdorimit të impiantit sportiv kryesor në Shkodër duket se është shoqëruar me “hapje krahu” nga organizatorët e garës.
FSHF-ja ka njoftuar klubin kuqeblu se ndeshjen ndaj Teutës mund ta luajë si pritës në “Reshit Rusi”. A do të funksionojë kështu edhe për sfidat e tjera të kampionatit, kjo mbetet për t’u parë. Në fakt, kësaj here duket se federata është zënë ngushtë, ngaqë në Pukë luan vetë Tërbuni. Në të njëjtën orë do të luajë edhe Vllaznia, kështu që stadiumi i Pukës nuk mund të ishte në dispozicion të kuqebluve. Klubi i Vllaznisë njofton se kjo është arritur falë ndërhyrjes dhe insistimit të kryetarit të Këshillit Bashkiak të Shkodrës, Xhemal Bushati, dhe drejtorit sportiv, Armir Grima. Me këtë rast u bëhet thirrje tifozëve shkodranë që të jenë sa më të shumtë, për ta mbështetur skuadrën e zemrës në arritjen e një fitoreje të mundshme.
/portali DurresLajm/