14 nëntor 2015 – Në ndeshjen miqësore vëllazërore, Kosovë-Shqipëri 2-2, të luajtur në stadiumin e Prishtinës, më së shumti ka pasur në fushën e blertë lojtarë nga kampionati zviceran. Kjo ka bërë që mediat e këtij vendi të jenë të interesuara për këtë ndeshje, madje të shkruajnë për të.

Gazeta më e madhe helvete, “Blick”, ka postuar në faqen e vet në Facebook një video, ku lojtarët e të dyja kombëtareve darkonin bashkë. Kjo u ka bërë shumë përshtypje zviceranëve, duke e komentuar këtë lloj sjelljeje të paparë më herët para një ndeshjeje futbolli.

“Kjo është një ndeshje me të vërtetë miqësore! Para ndeshjes, ku do të luajnë kundër njëra-tjetrës, Kosova dhe Shqipëria ishin në një darkë të përbashkët”, shkruhet në faqen zyrtare në Facebook të kësaj gazete.

Po cilët janë lojtarët nga kampionati zviceran, që luajtën në miqësoren e organizuar me rastin e kualifikimit historik të Shqipërisë në finalet e “Euro 2016”? Për kuqezinjtë ishin: Shkëlzen Gashi, Taulant Xhaka, Berat Gjimshiti, Naser Aliji, Migjen Basha, Armando Sadiku, Arlind Ajeti, Frederik Veseli, ndërsa për Kosovën luajtën Hekuran Kryeziu, Alban Pnishi e Mërgim Brahimi.

Nuk është hera e parë që mediat e këtij vendi shkruajnë për kombëtaren kosovare dhe atë shqiptare, pasi janë të mendimit se “pjesa zvicerane” e tyre është më e mira. Në rastin e Shqipërisë, madje donin të merrnin merita për kualifikimin në Europianin e Francës. Vërtet këta lojtarë janë rritur e luajnë futboll në Zvicër, por në dejet e tyre rrjedh gjak shqiptari. Ky gjak rrjedh edhe në dejet e kombëtares së Zvicrës, ku emra të tillë si Shaqiri, Granit Xhaka, Behrami, Kasami, Mehmedi dhe Xhemaili janë “pjesa e luanit”.

Njohja e Kosovës nga UEFA dhe FIFA i ka vënë në alarm mediat zvicerane, por edhe rritja e dukshme e kuqezinjve, finalist të një Europiani, i shqetëson se mund të joshë talentet shqiptare që luajnë me kombëtaret e moshave helvete.

/portali DurresLajm/