14 nëntor 2015 – Joachim Low dhe ekipi kombëtar i Gjermanisë kanë mbërritur shëndoshë e mirë në Frankfurt, pasi kaluan natën në Paris, teksa kryeqyteti francez u përfshi nga sulme të koordinuara terroriste.

Kampionët e Botës, të cilët u mposhtën 2-0 nga Franca, u rikthyen në Gjermani në orën 09:52 të mëngjesit, pasi u nisën nga aeroporti “Charles de Gaulle”. Sipas të përditshmes gjermane, “Bild”, ekipi kombëtar kaloi natën në “Stade de France”, pas ndeshjes së humbur ndaj ‘gjelave’ të Deschamps.

Ekipi i Gjermanisë kishte në program të rikthehej në Hanover të shtunën, por si masë sigurie, u ndryshua plani dhe 4 herë kampionët e botës udhëtuan për në Frankfurt. Low dhe ekipi që ai drejton u largua nga stadiumi “Stade de France” rreth orës 3 të mëngjesit, shoqëruar nga forca të shumta sigurie.

Bastian Schweinsteiger dhe shokët e tij të ekipit u larguan në bord të një aeroplani të Lufthansës, me mbrojtësin e Borussia Dortmud, Mats Hummels që postoi një koment në “Twitter”:

“U rikthyem në Gjermani, e pabesueshme ajo që ndodhi mbrëmë. Momentalisht, kjo botë është e dhjerë. Lutjet dhe mendimet e mia shkojnë për ata që kanë humbur një person të dashur.”

Ish-sulmuesi i Arsenalit, Lukas Podolski shkroi: ‘Jemi kthyer në Gjermani #Lutuni për Parisin, ndërsa mesfushori i Wolfsburgut postoi këtë mesazh: “Çfarë nate e tmerrshme”! 

Trajneri Joachim Low pranoi se pas ndeshjes lojtarët ishin të trembur pasi një alarm për bombë i kishte detyruar të largoheshin nga hoteli disa orë para se të fillonte ndeshja ndaj Francës. Ai tha: “Jemi të gjithë nën shok. Ndeshja dhe golat kalojnë në plan të dytë në një ditë si kjo. Na thanë në dhomat e zhveshjes për atë që po ndodhte jashtë stadiumit. Të gjithë në stol ishim pak të trembur pasi kishim shpenzuar tri orë jashtë hotelit pas alarmit për bombë.” Gjermani ka në program një miqësore ndaj Holandës të martën, por pas ngjarjeve të fundit ndeshja mund të mos zhvillohet.

/portali DurresLajm/