13nentor 2015 – Alarm për bombë në hotelin ku ishte akomoduar Kombëtarja Gjermane në Paris. Lajmi për alarmin u përcoll fillimisht nga e përditshmja Bild në edicionin e saj On Line për të bërë brenda pak sekondash xhiron e botës në thuajse gjithë mediat e rëndësishme sportive.
Alarmi u dha rreth mesditës dhe hoteli ku ndodhen lojtarët dhe stafi i Kombëtares Kampione të Botës u evakua krejtësisht nga forcat e rendit.Kombëtarja e drejtuar nga Joachim Low ndodhet në Paris për miqësoren që do të luhet këtë mbrëmje me Francën në “Parc De Princess”.
Hoteli ku ndodhej Gjermania gjendet në kryeqtetin francez dhe disa anëtarë të stafit të Die Mannschaft ju kanë referuar mediave se kaluan plot 3 orë jashtë hotelit, ndërkohë që policia e vënë në lëvizje nga sinjalizimi nëpërmjet një telefonate anonime kontrollonte imtësisht hotelin dhe gjithë zonën. Kombëtarja Gjermane më pas u transferua në Roland Garros, impiantin ku zhvillohet Grand Slami i tenisit për të vijuar përgatitjet për miqësoren e kësaj mbrëmjeje. Bild bën të ditur se gjatë kontrollit policia nuk gjeti asnjë bombë ndërkohë që vijoi me verifikimet e mëtejshme për të sqaruar krejtësisht rastin.
/portali DurresLajm/