13 nëntor 2015 – Dy aleatët kryesorë të qeverisë, kryeministri Edi Rama dhe kryetari i parlamentit Ilir Meta për më shumë se dy orë zhvilluan një takim në vilën qeveritare, ku të pranishëm ishin dhe tre ministra socialistë të kabinetit qeveritar, por edhe zyrtarë të lartë të LSI-së e PS-së.

Pas përfundimit të takimit, Rama iu përgjigj dhe pyetjes së gazetarëve, një prej çështjeve më të diskutuara gjatë ditëve të fundit pas dorëheqjes së Nasip Naços, nëse i ka kërkuar Meta ndryshime në qeveri. Rama u përgjigj duke deklaruar se nuk do të ndodhë asgjë dhe kjo është thjesht fantazia e medias.

“Mos prisni asgjë nga ato që fantazoni, komentoni dhe nga ato që analizoni vetë në këtë aspekt. Janë fantazi që i krijoni vetë. Edhe zgjedhjet ë parakohshme janë pjesë e kësaj fantazie. Ministri i Drejtësisë dha dorëheqjen shprehu shkakun zgjodhëm ministrin e ri për ti dhënë një shtytje më shumë. Kam thënë që nuk bëj ndryshime në qeveri, por nuk kam thënë që asnjë ministër nuk ka të drejtë të japë dorëheqjen”, tha Rama.

Në të njëjtën linjë ishte dhe kreu i LSI-së, Ilir Meta, i cili nuk i përmendi ndryshimet në qeveri e madje theksoi se koalicioni qeverisës është i qëndrueshëm.

“Koalicioni PS- LSI- është i qëndrueshëm, funksionon në mënyrë konstruktive” u shpreh Meta për gazetarët duke shtuar se çdo ndryshim në qeveri është konsultuar me kryeministrin Rama.

Bashkaleatët Rama dhe Meta thanë se njësia e koordinimit të koalicionit mblidhet çdo javë dhe këtë radhë në fokus ka qenë diskutimi mbi progres raportin.

/portali DurresLajm/