13 nëntor 2015 – Durrsakët pretendojnë fitoren e radhës në ndeshjen me shkodranët, që do të zhvillohet në fushë asnjanëse, ndërkohë që stafi kërkon përqendrim maksimal. Atmosfera në kampin durrsak, pas fitores 3-1 me Flamurtarin, është mjaft pozitive. Teuta, që mban vendin e tretë në renditje, duke lënë pas pretendente si Tirana, Kukësi e Laçi, po zhvillon një kampionat vërtet të mirë dhe i ka të gjitha mundësitë për të qenë në Kupat e Europës.
Skuadra e drejtuar nga trajneri Gugash Magani tregoi një nivel të kënaqshëm në ndeshjen me Flamurtarin, ku loja me ritëm të lartë u konkretizua me 3 gola. Pas asaj fitoreje futbollistët u çlodhën dy ditë dhe tashmë janë duke u përgatitur për transfertën me Vllazninë. Në fakt, do të luhet në fushë asnjanëse, që ende nuk është përcaktuar zyrtarisht, ndaj dhe janë të gjitha shanset për një tjetër fitore, që do të konsolidonte pozitat e “Djemve të detit” në tabelën e klasifikimit, duke përfituar nga ndonjë hap falas i rivalëve, të cilët kanë sfida të vështira në javën e 11-të.
Për trajnerin Magani do të ketë rikthimi të rëndësishme në skuadër, si Hodo e Hila, kështu që rriten edhe më shumë mundësitë për fitore me Vllazninë. Kundërshtari i durrsakëve po kalon një situatë shumë të vështirë për momentin, por trajneri Magani dhe stafi i tij e vlerësojnë maksimalisht ndeshjen, duke ditur që Vllaznia ka mjaft të rinj të talentuar. Për këtë arsye trajneri peqinase i Teutës ka kërkuar nga futbollistët të jenë sa më të përqendruar gjatë seancave stërvitore, sepse nuk do ta kenë aspak të lehtë, pavarësisht krizës së kundërshtarit. Gjithsesi, optimizmi në radhët e durrsakëve mbetet në kuota të larta dhe të gjithë janë të bindur se do të marrin rezultat pozitiv, kudo të që zhvillohet ndeshja.
/portali DurresLajm/