Nga Shefqet Kërcelli
12 nëntor 2015 – Dje u çel në pallatin e Kongreseve panairi i librit “Tirana 2015”. Nga data 11 deri më 15 nëntor 2015, dhjetëra shtëpi botuese e botues nga Shqipëria, Kosova e Maqedonia po ekspozojnë botime të tyre, si të viteve të kaluara dhe ato më të fundit, me tematika, zhanre e gjini të ndryshme. Është fakt që numri i botimeve gjatë këtyre viteve është përmirësuar ndjeshëm në sasi e cilësi. Por ç’po ndodh me lexuesin shqiptar?
Me keqardhje konstatojmë se numri i vizitorëve dhe lexuesve shqiptarë po pakësohet ndjeshëm nga viti në vit, më e theksuar kjo tek të rinjtë shqiptarë. Nga një vëzhgim i thjeshtë, por dhe nga takimet me botues të ndryshëm, të gjithë ma shprehën këtë shqetësim të tyrin. Tashmë është fakt që situata e librit është në krizë, më thotë një botues.
“Botimet po bien, mjaft shtëpi botuese e librari po falimentojnë. Kjo lidhet jo vetëm me situatën ekonomike dhe internetin, por dhe me politikat zhvillimore dhe fiskale të shtetit ndaj botimeve. Nuk ka subvencione dhe investime nga shteti në këtë fushë të rëndësishme, që ka të bëjë me të ardhmen e kombit shqiptar. Dhe këtu në panair, taksa për truall është marramendëse. Ne me shitjet tona nuk mund të mbulojmë as ¼-n e kësaj që po paguajmë. S’dimë si do shkojë kjo punë”, thotë një botues tjetër.
Ndërkohë për hir të së vërtetës duhet të pranojmë që janë botuar e përkthyer plot libra të mrekullueshëm, por mjaft blerës shkojnë drejt politikanëve të cilët rreken t’i japin librat me autografe. Kjo sepse politikanët tanë kanë mundësi financimi, reklamimi e marketingu, më shumë se kushdo në panairet tona të librit.
S’lamë gjë pa politizuar ne shqiptarët. Në këtë grup të privilegjuarish futen dhe disa gazetarë që fillojnë reklamën e librit pa e botuar ende. Këto lloj politikash e demagogjish e çorientojnë lexuesin tonë për të përzgjedhur librin e duhur, me ato pak lekë që ka ndarë për të blerë ndonjë libër, sipas traditës së lexuesit e dashamirësve të librit. Natyrisht mjaft lexues janë të prirë drejt librave bestseller, librave historikë e filozofikë.
Këtë vit, për herë të parë në këtë panair u ekspozuan dhe libra dixhitalë. Gjithsesi kjo risi teknologjike nuk ka për të ndryshuar situatën e librit në Shqipëri. Tashmë nuk mund të fshihet fakti që shqiptarët i janë larguar librit. Ndaj është domosdoshmëri që si në fusha të tjera dhe për librin, duhet një strategji e veçantë ku të bashkërendojnë punën e tyre institucionet shtetërore dhe subjektet private.
Ka disa vite që po ndjek panairet e librit, por pamja që të afron ky aktivitet mbarëkombëtar, nga viti në vit bëhet më trishtuese për librin. Kjo vihej re dhe në fytyrat e botuesve të ndryshëm që i vinin qark eksponateve të tyre, por dhe të kolegëve. Gjatë vizitës sime të fundit në SHBA, shkova dhe te biblioteka publike e New York-ut. Madje i dhurova një libër nga botimet e mia kësaj biblioteke, ku mora qindra falënderime e urata nga personeli i saj. Ata e vlerësonin tej mase kulturën e dhurimit të një libri.
Por ajo që vura re të paktën për 5 ditë qëndrimi atje ishte frekuentimi i kësaj biblioteke. Në çdo orë të ditës pashë qindra njerëz të grupmoshave të ndryshme që nuk reshtën duke hyrë e dalë në këtë bibliotekë madhështore. Sigurisht për kushtet e ndryshme social-ekonomike dhe kulturore nuk mund të bëjmë krahasime mes dy vendeve, por libri është një, ai i ndriçon mendjen cilitdo njeriu, kudo që të jetë.
Por ç’po ndodh me ne shqiptarët në raportin me librin?! Kjo situatë duhet të na shqetësojë të gjithëve. Rrugë e mundësi për ta përmirësuar ka sa të duash, mjafton të jetë dëshira dhe vullneti i mirë i të gjithëve. Gjithsesi le të shpresojmë që ditët e tjera numri i dashamirësve të librit do rritet në panairin “Tirana-2015”.
/portali DurresLajm/