11nentor 2015 – Ka mjaftuar mungesa e menaxherit të Kombëtares, Alban Bushi, në konferencën për shtyp të trajnerit De Biazi dhe disa zëra në korridoret e FSHF-së se mes palëve ka një krisje, që ky të bëhej një lajm. Shumë flisnin për një krisje të fortë mes trajnerit dhe menaxherit dhe aludohej se tekniku italian kishte kërkuar largimin e Bushit nga stafi teknik.

Por vetë Alban Bushi ka hedhur poshtë lajmet që kanë qarkulluar gjatë ditës duke thënë se janë vetëm thashetheme. “Nuk kam dijeni për asgjë. Janë vetëm thashetheme. Jemi të fokusuar plotësisht te përgatitjet për dy ndeshjet e radhës miqësore. Po punojmë maksimalisht për të marrë rezultate pozitive dhe për të bërë paraqitje të mira. Ato që përfliten në lidhje me mua dhe trajnerin De Biazi janë thjesht dhe vetëm thashetheme”, deklaroi Bushi në prononcimin e tij.

Aludimet për një krisje të mundshme mes palëve erdhën duke pasur parasysh intervistën që dha Bushi menjëherë pas kualifikimit të Shqipërisë në “Francë 2016”. Ndër të tjera, Bushi tha që merita e kësaj arritjeje nuk është vetëm e trajnerit, por e shumë faktorëve që janë bërë bashkë. Ndërkohë, Bushi ka qenë dje i pranishëm në grumbullimin e Kombëtares dhe ka ndjekur nga afër seancat stërvitore.

/portali DurresLajm/