10nentor 2015 – “Tifozët kuqezi” nuk do të jenë të pranishëm në ndeshjen miqësore që do të zhvillohet mes Shqipërisë dhe Kosovës në stadiumin e Prishtinës. Në një reagim në faqen e tyre në “Facebook”, tifogrupi zyrtar i kombëtares shqiptare thekson se për ta ekziston vetëm një kombëtare dhe një flamur dhe për këtë arsye nuk mund ta ndjekin ndeshjen me Kosovën në stadium. “Të nderuar Tifoza, Këtë të premte, Kampionet tanë zhvillojnë ndeshjen e parë që pas kualifikimit historik në Kampionatin Evropian “Francë 2016”, në shtëpinë e tyre të dytë, AUTOKTONE, në Prishtinë. Ndeshja do te jetë e karakterit festiv, ndaj një grupimi tjetër të futbollistëve shqiptarë. Që nga themelimi, një ndër misionet bazë të Tifozave Kuq e Zi ka qenë që Shqiptarët, edhe pse të ndarë në disa shtete, të kenë vetëm një Kombëtare, dhe të përfaqësojnë vetëm një Flamur.

Ne vazhdojmë të besojmë në kauzën tonë, dhe për këtë arsye, të Premten nuk do të jemi prezent si grupim në Stadionin e Prishtinës, por që sigurisht që do të jemi prezent në Prishtinë për festën e madhe. Që nga themelimi dhe deri më sot, ne kemi përkrahur vetëm Kombëtaren Shqiptare dhe skuadrat shqiptare në Evropë. Por asnjëherë të vetme nuk kemi qenë në tribuna, kur në fushë kanë qenë dy skuadra me futbollistë shqiptarë. Dhe me gjithë dëshirën që të jemi prezent, nuk do të mundemi të jemi aty.

Tifozat Kuq e Zi i bëjnë thirrje te gjithë Shqiptarëve në Kosovë, të shfrytëzojnë praninë e Kombëtares në Prishtinë, dhe te festojnë në numër sa më të madh. Edhe ne si grupim, do te jemi të pranishëm ne Prishtinë, dhe do të festojmë gjithë së bashku ketë arritje historike të Kombëtares tonë.

Për fund, Tifozat Kuq e Zi vazhdojnë të besojnë se sot, më shumë se kurrë, janë krijuar kushte që të kemi vetëm një Kombëtare. Ne vazhdojmë të përkrahim ekipet shqiptare të të gjitha trevave që luajnë dhe do të luajnë në arenën ndërkombëtare dhe të mos mbesin të izoluar. Sidoqoftë, në përfaqësimin si Komb, duhet të jemi një dhe vetëm një.

Kombëtarja që e kemi tani, është shembulli më i mirë i bashkimit, dhe suksesit”, thuhet në reagimin e tyre.

/portali DurresLajm/