6nentor 2015 – Muharrem Hoxha aktori i madh i humorit jo vetëm durrsak, por dhe kombëtar, nderohet me titullin “Mjeshtër i Madh”. Titullin e ka marrë nga presidenti i Republikës, në momentin kur Rrema shënon daljen nga skena, për të shijuar vitet e pensionit. I konsideruar si “I fundit i mohikanëve” i estradës së Durrësit, Muharrem Hoxha është nderuar nga Presidenti i Republikës me titullin Mjeshër i Madh, në një mbrëmje që bëri bashkë, personalitete dhe aktorë të mëdhenj të skenës shqiptare, të filmit, teatrit, estradës dhe muzikës.
Muharrem Hoxha ose Rrema siç e njeh publiku dhe miqtë e tij, gjatë 30 vjetëve pa ndërprerje në estradën e qytetit, ka sjellë mbi 70 role të spikatura. Muharrem Hoxha ia dedikoi këtë çmim kolegëve të tij të estradës, me të cilët ndau mbi tre dekada punë në skenë. Me daljen e Muharrem Hoxhës në pension, mbyllet përfundimisht edhe Estrada e Durrësit, një gjini e artit skenik, që përmes humorit, ka thyer të gjtitha tabutë shoqërore.
Pothuajse të gjthë aktorët kanë dalë në pension. Ata gëzohen për çmimin e Muharrem Hoxhës, por njëkohësisht shprehin dhimbje, për shkrirjen e kësaj gjinie të artit skenik. Janë miqtë e tij Roland Koca, Aishe Stari, regjisori Haxhi Rama, Fadil Hasa, Zyliha Miloti apo Cekja i Beratit të gjithë që i bashkohen festës.
Një përshkrim i jetës artistike të Rremës
Muharrem Hoxha është aktor komik shqiptar nga qyteti i Durrësit lindur me 18 janar 1954. Ka punuar për një periudhë të gjatë nga ’73 – ’86 në “Pallatin e Rinisë” në qytetin e Durrësit, ku ka bashkëpunuar me aktorët e humorit si Fadil Hasa, Ramazan Njala, Enver Likmeta dhe në veçanti Gani Kalaja. Po në këtë qytet ai ka punuar dhe me aktor të tjerë si Roland Koça, Sanie Hoti, Xhelal Tafai, Hysen Bashkhysa etj. Ai ka marrë pjesë te teatri i kukullave ku ka punuar për 14 vjet, po kështu është angazhuar në mbrëmjet e vitit të ri, si në programet për fëmijë dhe në ato për të rriturit. Rrema ka luajtur dhe në filmin për femijë “Velat e Bardha”, i cili është xhiruar në Itali.
Aktivitetet dhe bashkëpunimet e tij me aktorë dhe regjisorë të disa qyteteve tona kanë bërë që ai të jetë një ndër humoristët më të pëlqyer jo vetëm për qytetin e Durrësit ku ai punon, por dhe për qytete të tjera. Në Shkodër ai ka bashkëpunuar me aktorë të tillë si Zyliha Milotin, Paulin Prekën, Zef Dedën, Gëzim Kruja, Drane Xhoi. Gjithashtu ai ka luajtur dhe me aktorët e qytetit të Korçës ku do të veçonim Zamira Kita, Aleko Prodani, Petrika Riza, Klaudeta Riza, Marko Bitraku, Albana Prodani etj.
Nuk mund të lëmë pa përmendur dhe bashkëpunimin me aktorë të humorit në qytetin e Elbasanit si Ilmi Belshaku, Dimitraq Topuzi, Antoneta Doka. Ai është vlersuar në vitin 2000 si “Njeriu i shekullit”, “Krenaria e qytetit”, për Durrësin, ka fituar si “Aktori me i mirë” në festivalin e Dibrës së Madhe me trupën e Korçës me shfaqen “Ju ftojmë në dasmën e babait”. Në vitin 2003 është nderuar me Urdhrin “Naim Frashri i Argjendë”, ndërsa në vitin 2010 ka marrë “Naim Frashri i Artë”. Në vitin 1983 në qytetin e Lushjes nderohet me çmimin “Laureat i festivalit”. Të njëjtin çmim e merr dhe në Fush-Arrëz, në 1989.
/K.H. portali DurresLajm/