6nentor 2015 – I zgjedhur që në kohën kur kryetar bashkisë ishte Lulzim Basha, sot policia e Tiranës arrestoi 38-vjeçarin Gjelosh Progni, me detyrë drejtor i Auditit në bashki. Sipas policisë u finalizua operacioni “Premtimi i Fundit” që solli prangosjen e Prognit për akuzën e korrupsionit. “Progni, lindur në Lekbibaj (Tropojë) dhe banues Tiranë është me detyrë Drejtor i Auditit (kryeinspektor), pranë Bashkisë Tiranë, i emëruar që në vitin 2012.

Nga hetimi ka rezultuar se, Progni i ka marrë (përfituar) 5 milionë lekë të vjetra shtetases V.B, duke i premtuar punësimin e saj në Bashkinë e Tiranës, në muajin janar të vitit 2013, pa dhënë specifika për pozicionin e punësimit. Materialet proçeduriale në ngarkim të tij, ju kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprën penale të “Korrupsionit pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike”, bëri të ditur policia.

/portali Durreslajm/