*Akuzave për politikanë në luks: Unë kam makinën e shtetit
29tetor 2015 – Kreu i Kuvendit, Ilir Meta tha sot në një intervistë për Zërin e Amerikës se nuk mund të vërë nota si mësues për qeverisjen. I pyetur nga gazetarja Ardita Dunellari në lidhje me akuzat për korrupsion, Meta i hodhi poshtë këto. “Unë lëviz me makinën e shtetit”, ishte përgjigja e tij pas pyetjes mbi jetesën në luks të politikanëve shqiptarë.
A keni plane të takoni zyrtarë të lartë të administratës?
Vizita ime është e përqendruar në Kongres, kemi pasur takime në nivele të larta me liderin e demokratëve znj. Nancy Pelosi. Ka qenë një axhendë e përqendruar tek Kongresi dhe tek takimet me kongresmenë të shquar.
Tema e terrorizmit mbetet përparësi edhe e juaja, por ka një numër problemesh me të cilat ndeshet Shqipëria…
Padyshim duhet një ndryshim rrënjësor në sistemin e drejtësisë. Tashmë do shprehet edhe Komisioni i Venecias për ti hapur rrugë kësaj reforme, për të cilën shumica është e angazhuar. Jam i bindur që me këtë reformë do bëjmë një ndryshim rrënjësor. Vullneti politik ka munguar në disa raste dhe kjo vihet re tek mos avancimi në reformën në drejtësi i si e gjykoni punën e qeverisë Të mos harrojmë që morëm statusin e vendit kandidat, miratimi i ndryshimeve kushtetuese do i japë shtytje të fuqishme hapjes së negociatave. Problemet i dimë, po i adresojmë, shpresojmë që vendi të shënojë përparësi.
Pse nuk dolët me një variant të njehsuar për reformën në drejtësi? Kjo tregon se mes jush ka divergjenca?
Varianti ka qenë i ekspertëve jo i partive. Propozimet e deputetëve të LSI janë mjaft konstruktive dhe ndihmojnë ecurinë e reformës.
Si janë relatat me qeverinë, ju keni folur për impulse të reja?
Impulset s’kanë të bëjnë me emrat, kanë të bëjnë me domosdoshmërinë për të shtuar energjitë, për të arritur rezultate të prekshme, nuk janë sfidat tona janë sfidat e BE, rritja e vështirësive kërkon shtimin e impulseve.
Çfarë note do i vinit qeverisjes Rama në drejtim të ekonomisë?
Nuk jam mësues që të vë nota, jam pjesë e kësaj maxhorance. Mos të harrojmë se kjo qeveri e mori në një situatë shumë të vështirë. Nuk mund të mendojmë se kjo qeveri është përgjegjëse për krizën greke, për krizën në eurozonë. Ka shumë faktorë të jashtëm. Por absolutisht shumë më tepër duhet të bëhet në këtë drejtim. Edhe reformat duhet të synojnë rritjen ekonomike të vendit, që të përmirësohet standardi i jetesës së qytetarëve. Pa vendosur ndonjë notë, patjetër që duhet të bëjmë shumë më tepër.
Kriza erdhi në 2008, po në korrik ikën 7 mijë veta dhe këto vende që thoni ju se janë në krizë, po i presin këta njerëz. Ju keni një problem ekonomik që po ngrihet si shqetësim nga gjermanët. Klasa politike në Shqipëri që shpalos një luks të jashtëzakonshëm ndjehet ndonjëherë në presionin e publikut? A ka ndonjë gjë që ju prek?
Nuk e di për çfarë luksi e keni fjalën…
Për mënyrën tuaj të jetesës, për makinën, për vilën tuaj të pushimeve…
Unë kam një makinë të shtetit…
Pyetja e vetme që marrim ne çdo ditë, shqetësimi i qytetarëve, klasa politike duhet të largohet, është e korruptuar etj. E ndjeni presionin?
Nuk mund të merrem me gjëra të tilla personale dhe ta ul nivelin e bisedës në këtë nivel. Unë jam një politikan që jetoj në Shqipëri, më vlerësojnë shqiptarët.
Emri juaj është lakuar në afera korruptive jo njëherë…
Unë kam marrë 260 mijë vota dhe nuk flas dot në emër të gjithë shqiptarëve. Edhe për ata 260 mijë duhet të flas me shumë kujdes. Ndërsa ju flisni në emër të gjithë shqiptarëve. Do ju jap dokumentin e firmës, ku bën të qartë që nuk përmendet emri i zotit Meta dhe ish-kryeministri që përmendet… Me sa duket ju duhet ta filloni gazetarinë nga e para…
Nëse flisni në emër të kompanisë që ka bërë një njoftim zyrtar…
Ajo thotë se nuk është përmendur Zotit Meta, por nuk e mohon. Pse del emri juaj në këto afera?
Kur zoti Meta të mos jetë në politikë, patjetër emri i tij nuk do të dalë.
Qytetarët shqiptarë po ikin çdo ditë, po tregojnë që nuk kanë besim. Ju nuk e ndjeni këtë si politikan veteran që jeni?
Unë ndiej përgjegjësinë si politikan. Edhe në vendet e BE-së ka lëvizje të popullsisë, qytetarë që ikin nga një vend në tjetrin.
/Zëri i Amerikës/