29 tetor 2015 – LSI i përgjigjet Osman Stafës: Ka ikur koha e të fortëve në Këshillin Bashkiak, është vota ajo që vendos!  

“PD nuk mund ta bëjë "tym e flakë" Këshillin Bashkiak të Durrësit, kjo është një deklaratë e nxituar prej tyre. Sot, është vota që vendos në Këshillin Bashkiak Vangjush Dako u zgjodh me 15 mijë vota diferencë dhe drejton Bashkinë e Durrësit”, me këtë reagim ka dalë nënkryetari i Këshillit Bashkiak të Durrësit, përfaqësuesi i LSI-së i cili vjen nga bota e biznesit, Artur Bujari, pas kërkesës dhe propozimit të PD-së për uljen me 30% të taksës së pasurisë dorëzuar në Bashkinë e Durrësit.

“Është e drejta e të gjitha forcave politike të bëjnë propozime e të ngrejnë shqetësime në Këshillin Bashkiak. Është koha të respektojmë demokracinë. Shprehjeve të tilla “tym e flakë” u ka kaluar koha, dhe mbeten vetëm në kuptimin figurativ”, vlerëson Bujari.

Për nënkryetarin e KB-së, i cili është edhe biznesmen i njohur në Durrës, PS dhe LSI janë në një akord politik, dhe LSI nuk do t’i bashkonte kurrë votat me PD-në.

“Problemet që ka PD le t’i ngrejë në Këshillin Bashkiak, nëse kanë të drejtë pse të mos aprovohen. Ulja e taksës për biznesin e vogël ka anë të mira negative dhe pozitive. Nëse i ulen biznesit të vogël, mos i ngrihen biznesit të madh? Ne jemi për mbrojtjen e interesave të qytetarëve dhe të biznesit në Durrës.”

Osman Stafa: Kërkojmë uljen e taksës së pronës me 30 %

Dy ditë më parë në një dalje publike për mediat, kreu i PD-së së Durrësit Osman Stafa, shpalosi kërkesat e opozitës drejtuar Këshillit Bashkiak të qytetit.

“PD Durrës i paraqet sot bashkisë së Durrësit, kërkesën për uljen e taksës së pronës në masën 30% , për të ndihmuar biznesin dhe qytetarët që gjenden në situatë krize ekonomike. PD do vendosë veton në Këshillin Bashkiak deri në miratimin e kërkesës. Do t’i kërkojmë Këshillit Bashkiak uljen e taksave të biznesit të vogël, sepse Durrësi po përballet me eksod të qytetarëve. Biznesi i vogël në Durrës po përballet me tarifa e taksa që e rëndojnë biznesin e vogël, dhe janë të papërballueshme për ta”.

/K.H. portali DurresLajm/