29 tetor 2015 – Pa kapelën e kaubojsit, Eduart Ndocaj hyri sot në selinë e Kuvendit. Ai tashmë është zyrtarisht deputeti më i ri i Shqipërisë, pas betimit të bërë në seancën plenare të sotme. Këshilli i Mandatave, i cili u mblodh më herët, miratoi vendimin e KQZ-së, për zëvendësimin e Arben Ndokës me Ndocajn.
Por sapo ka mbaruar betimin, Ndocaj u sulmua nga ish-kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli.
“Nuk ka ndodhur kurrë që nga një listë të ikin të gjithë kandidatët. Të niset socialist e të përfundojë këtu si demokristian. Çfarë lidhje ka ai me politikën, betimi ishte një tallje për ne të gjithë!” u shpreh Topalli.
/portali DurresLajm/